Profesori amerikan: Kurti duhet ta lë jashtë qeverisë Listën Serbe

Profesori amerikan në Universitetin e New Yorkut, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit, Alon Ben-Meir, thotë se në ekzekutivin e ardhshëm, Albin Kurti duhet ta lë jashtë qeverisë Listën Serbe. Sipas tij, 10 parlamentarët e garantuar për pakicën serbe duhet të jenë pjesë e qeverisë vetëm nëse ka një proces të rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ben-Meir shton se me këtë fitore të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti duhet të përfitojë nga mundësia për të bërë koalicion me grupet e pakicave, duke mos përfshirë pakicat serbe, në mënyrë që të tregojë se qeveria është me të vërtetë e shqetësuar për mirëqenien e tyre. “Kjo nuk është vetëm një politikë e mirë por e domosdoshme, sepse përgjithësisht ky grup ka nevojë jo vetëm për njohje, por për mbështetje sociale dhe ekonomike”, shkruan tutje profesori amerikan në llogarinë e tij në Facebook.

“Për më tepër, ky grup nuk ka një axhendë specifike të politikës së jashtme, përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, dhe kështu nuk do ta lidhte dorën e qeverisë me ndonjë iniciativë të madhe të politikës së jashtme”. “Sidoqoftë, unë nuk besoj se 10 parlamentarët e garantuar për pakicën serbe duhet të jenë pjesë e qeverisë, të paktën jo në këtë moment, përveç nëse ka një progres të rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka shkruar ai.