…
Sot Fadil Sulejmani do të mbushte 84 vjet por Ai na la mu atëherë kur kishim më së shumti nevojë për të, mu në kohën e riorientimit moral të tempullit tonë të dijes, mu në kohën e një shprese të madhe që po e shihnim në horizont e në të njetën kohë na la në rrethana të rënduara ku pyetja imediate ishte:
SI DO T’IA BËNIM PA TË?
Sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë na mungon Profesor Fadil Sulejmani. Na mungon secili tipar i tij: na mungon Fadil Sulejmani si trim, si intelektual e veprimtar patriot, na mungon si politikan, si profesor e shkencëtar, na mungon Fadil Sulejmani si prijës e busullë morale e jona.
Fadil Sulejmani hyri e depërtoi në truallin akademik me shumë dije prandaj prodhoj shumë vepra. Mendimi i tij ka qenë mendim në lëvizje madje në vrap, mendim që nuk ndalej asnjëherë dhe mendim shumë dimensional andaj dhe veprat e tij kalojnë kufijtë e të zakonshmes.
Në ditën e lindjes së tij nga Këndi i Kujtesës dhe me finalizmin e vëllimeve të tij i japim jetë edhe një herë vizionit, mendimit dhe punës së tij të palodhur, duke i kthyer ato në një pasuri kombëtare.
Trashëgimia e profesor Sulejmanit, e mishëruar në këto nëntë vepra, është një udhërrëfyes për ne dhe për brezat e ardhshëm.
Profesor Fadil Sulejmani nuk ishte vetëm një udhëheqës akademik; ai ishte një vizionar, një personalitet që me përkushtimin e tij i dha jetë një institucioni arsimor që sot është simbol i krenarisë dhe qëndresës sonë kombëtare.
Këto vepra përfaqësojnë jo vetëm mendimin dhe punën e tij intelektuale, por edhe frymën e kohës kur Universiteti i Tetovës lindi dhe u forcua si bastion i dijes dhe i identitetit tonë.
Ribotimi i këtyre nëntë veprave është një akt që shkon përtej thjesht një procesi botues. Ky është një nderim për një trashëgimi që na përket të gjithëve.
Në to, brezat e ardhshëm do të gjejnë frymëzim dhe udhëzim, do të gjejnë kujtesën e një njeriu që përballoi sfida të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne edhe përskaj që procesi të vështirë ku ishte vet protagonist nuk hezistoi t’ju lë studentëve dhe studiuesve vepra kapitale edhe pse kryevepra e tij vazhdon të ngelet vetë Universiteti i Tetovës.
Profesor Fadil Sulejmani mbetet një shembull i ndritur i rezistencës dhe përkushtimit ndaj arsimit dhe kombit. Ai na mëson se kujtesa është një nga dhuratat më të çmuara që mund t’i lëmë pas historisë sonë por vetëm duke e mbajtur gjallë.
Historia e kulturës dhe arsimit shqiptar do të ishte e mangët pa figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Figura e tij shërben si motiv për çdo student dhe dëshmon që edhe kombet e vogla nxjerrin njerëz të mëdhenj dhe dinë të krijojnë vlera universale dhe kjo padyshim na shërben të gjithëve si popull, që të mos dehemi nga prominenca se veprat e mira janë si një pik në oqeanin e pafund të veprave të shenjta.
Pas titullit Doctor Honoris Causa në vitin 2012, pas ngritjes së muzeut në Poroj në vitin 2013, pas konferencës shkencore mbi figurën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe revistës shkencore kushtuar Profesorit, pas ngritjes së shtatores, pas emërtimit te Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani”, pas botimit te Monografisë (1994/5-2004/5) dhe pllakatës simbolike e cila u jepet figurave të shquara të kombit ku është e gravuar thënia e tij ikonike: “…ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë!”, pas krijimit te fondacionit “Fadil Sulejmani” për shkencë dhe inovacion dhe pas Çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani” mendoja se me Këndin e Kujtesës do ta përfundoja misionin tim sepse gjithmonë në vegimet e mia e kam imagjinuar ribotimin e veprave te Fadil Sulejmanit mu kështu siç i kemi sot përpara jush.
Në vazhdën e këtij urimi dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për bashkëshorten dhe mbështetësen e tij më të madhe znj. Haxhere Sulejmani e cila mes shumë emocioneve dhe kujtimeve pranoi Çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani” së bashku me vendimin e Senatit të Universitetit të Tetovës të datës 19 nëntor 2024, me këtë rast dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për mbështetjen dhe angazhimin e palodhur të senatorëve të Universitetit të Tetovës që miratuan këtë vendim duke dëshmuar edhe njëherë orientimin e tyre të palëkundur në kauzën tonë të përbashkët.
Ky takim do të mbetet gjithmonë i paharruar në kujtesën time. Përmes fotografive, ky moment do të materializohet, duke u ruajtur për gjithmonë tek Kendi i Kujtesës, i cili po mbushet çdo ditë e më shumë me histori dhe ndjenja që na bashkojnë.
Gjatë gjithë rrugëtimit tim intelektual jam kujdesur që figura e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit ta ketë vendin e merituar në historikun e tempullit tonë dhe me të lartëpërmendurat është munduar në vazhdimësi të lahet borxhin moral karshi pishtarit dhe Rektorit historik të Universitetit të Tetovës.
Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Profesorin e shohim çdo ditë jashtë përmes shatores së tij ndërsa nga sot e tutje do ta shohim gjithandej edhe brenda me këndin e kujtesës, ai ndoshta nuk është fizikisht por vepra e tij jeton e frymon ma fuqishëm se kurrë sepse Ai është i pranishëm përmes mospranisë! Admirimi dhe respekti për figurën e tij është i lartë aq sa është e thellë dhimbja që nuk e kemi mes nesh për ta parë të ulur tek Këndi i tij pra Këndi jonë i kujtesës!
Prof. Dr. Vullnet Ameti