Anëtarë të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët janë të angazhuar për procesin e zgjerimit dhe ecurisë së bisedimeve, kanë arritur në RMV për ta filluar edhe zyrtarisht procesin e skriningut. Këtij grupi i dëshiruan mirëseardhje krerët më të lartë shtetërorë, duke u zotuar se institucionet e vendet fuqishëm do të angazhohen në reformat e kërkuara.
“Edhe një herë po vërtetojmë rëndësinë e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE. Procesin e skriningut e fillojmë tani në muajin shtator, ndërsa duhet ta përfundojmë diku nga muaji nëntor i vitit 2023. Po ashtu presim që ndryshimet kushtetuese të fillojnë së realizuari gjatë vjeshtës së vitit të ardhshëm, edhe atë para mbajtjes së mbledhjes së dytë ndërqeveritare me BE-në. Gjatë procesit të bisedimeve, Kuvendi do të punojë me intensitet të shtuar në drejtim të reformave të kërkuara, dhe në këtë rrugëtim presim bashkëpunim me të gjitha institucionet e BE-së.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Geer: Gjendemi në një moment historik
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, potencoi se ky është një moment historik për RMV-në.
“Ky është një moment historik dhe vazhdim i dinamikës të cilën e kemi vërejtur pasi filluam bisedimet më 19 korrik 2022.”,- theksoi ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.
“Ne jemi të gatshëm të përfshihemi me organizatat parlamentare dhe organizatat tjera partnere të vendit tuaj, me qëllim që ne të kemi mundësi të mësojmë më shumë për përgatitjet tuaja, dhe të shohim se si po përparoni, dhe këto informacione ti përcjellim në Bruksel, dhe gjatë kësaj kohe do ta vlerësojmë përparimin tuaj, dhe hapat tuaja të ardhshëm.”,- u shpreh kryesuesi i grupit, Javorek.
Të enjten dhe të premten do të bëhet skriningu i parë shpjegues ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka një tjetër sfidë politike, ku do të duhet që në Kushtetutën e vendit ta përfshijë komunitetin bullgar./TVM2