Problemit të shtetësisë po i vjen fundi, Qeveria dhe Opozita Shqiptare dakordohen për Ligjin (VIDEO)

Problemit tredekadësh të mijëra shqiptarëve me shtetësinë i erdhi fundi. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka arritur marrëveshje me kryeministrin Zoran Zaev rreth tekstit të propozim ligjit për shtetësi. Deputeti Elmi Aziri njoftoi se me ndryshimet ligjore, të gjithë qytetarët që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në momentin e pavarësisë të fitojnë shtetësinë me një dokument të vetëm nga lista e shumë dokumenteve që janë dhënë si opsione.

Elmi Aziri
“Vlerësojmë se është një e arritur e madhe për shkak se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi e këndej janë banorë real të Maqedonisë së Veriut, por që kanë pasur problem me shtetësinë e këtij shteti, përmes këtij ligji do të kenë mundësi të pajisen me të njëjtën. Faktikisht përmes këtij ligji të gjithë personave që nga pavarësia e këndej janë banorë të Maqedonisë së Veriut u konstatohet shtetësia, duke aplikuar për shtetësi dhe duke ofruar si dëshmi vetëm një dokument që është në dispozitat kalimtare të evidentuar në mënyrë taksative me ligj.

Domethënë vetëm me ofrimin e një dokumenti personat pajisen me shtetësi. Vlerësojmë se është një e arritur e madhe për këta qytetarë që ta realizojnë të drejtën e tyre dhe ti eliminojnë të gjitha barierat për zhvillimin e jetës normale”.
Marrëveshjen e konfirmoi edhe kryeministri Zoran Zaev i cili bëri të ditur se tani kanë ngelur vetëm çështjet teknike për procedim të ligjit në Kuvend.

Zoran Zaev
“Mendoj se ligji është zgjidhur, Dua që kjot ë njoftohet nga propozuesit. Dje është mabjtur takimi i fundit në nivel pune dhe tani pasojnë aspektet teknike të sekretarit shtetëror me një pjesë të deputetëve. Por, mund të them se kemi zgjidhje që do ta kumtojnë vetë propozuesit e ndryshimeve. E gjithë kjo bëhet në interest ë ju shërbejmë sa më mirë qytetarëve”.

Aziri tha se shtetësia tani do të mund të fitohet vetëm me një çertifikatë të lindjes, faturë të energjisë, dëftesë të shkollës ose dokumente të ngjashme dhe të gjithë aplikuesit e deritanishëm dhe aplikuesit e rinj do të trajtohen me ligjin e ri. Propozimi pritet që javën e ardhëshme të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi do të duhet të caktojë seancën plenare.