“Problemi më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët”

Nga Ben Andoni
Maqedonia është në periudhën e krijimit të qeverisë dhe si zakonisht i është drejtuar faktorit shqiptar, ku sigurisht BDI-ja, partia më e votuar e tyre do të luajë dhe kërkojë shumë me kërkesat e veta. Për ta formuar qeverinë e re, social-demokratët e Zoran Zaev duhet ta bindin medoemos partinë Bashkimi Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit ta formojnë sëbashku koalicionin qeverisës. Nuk është se Zaev ka ndonjë respekt specifik për shqiptarët dhe kjo u tregua në javët e fundit, ku realisht dolën mendimet e tij reale. Por, gjithsesi ato shkonin me pjesën tjetër maqedonase, ku mosbesimi ndaj shqiptarëve dhe sidomos paragjykimi është i madh. Qoftë edhe i një pro-evropianisti si Zaev.

Në fakt, problemi më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët dhe përçarja e madhe e të gjithë faktorit të tyre politik. Mosbesimi i hapur që Sela, Ahmeti, Thaçi etj., kanë me njëri-tjetrin është aq i madh, saqë u tregua dhe në momentet më të këqija, ku kaloi parlamenti i vendit fqinj. Por, gjithsesi, BDI ka një avantazh sa i përket faktorit shqiptar, pasi ka bashkëdrejtuar me maqedonasit në nivele dhe krahë të ndryshëm dhe në nivele drejtimi ka përshfaqur jo pak problematika. Dhe, shqiptarët ia kanë dhënë vlerësimin me votat dhe bjerrjen e tyre. Nga ana tjetër, individë shqiptarë, të tillë si Kryetari i fundit i Parlamentit, Ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes kanë treguar se shqiptarët jo thjesht dinë të drejtojnë, por edhe të marrin përgjegjësi.

Në këtë logjikë, dhe duke pasur parasysh kuotat e ulura jo pak, para këtij sezoni zgjedhor, Ali Ahmeti bëri një nga propozimet më interesante, duke e treguar si një politikan mirëfilli, që di të notojë mirë në mjediset maqedonase. Dhe, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, propozoi për kryeministër të Maqedonisë: Naser Ziberin, si një kandidat mbipartiak. I bindur se formacioni i tij dhe i LSDM do të dilte fitues shtoi se qeveria e re duhet të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, për arsye se ka ardhur koha që Maqedonia ka një hap tjetër.

Në fakt, pak gjëra kanë ndryshuar në terren, kurse de jure jashtëzakonisht. Maqedonia është shumë afër proceseve integruese me tregues edhe me të mirë se Shqipëria.

Në kohët e fundit, dy kryetarët e partive kryesore maqedonase treguan se nuk kanë aq shumë respekt për drejtuesit eprorë shqiptar dhe janë deri gati të bëjnë aleancë kundër tyre. Kjo e bën faktorin shqiptar që të bëhet më i kujdesshëm dhe kompakt, sepse qeveritë e forta ndërtohen mbi interesin e ideve, marrëveshjeve, individëve dhe programeve zgjedhore. Dhe, maqedonasit luajnë fort me forcën e kartonit, kurse shqiptarët veç kartonit dhe me dinjitetin. Të cilin duhet ta provojnë gjithmonë prej paragjykimeve nuk mbarojnë. Ndaj përçarja e tyre peshon shumë.

Ka ardhur mbase koha, që Ali Ahmeti të ulë pak stekën në interes të forcës shqiptare, por edhe të një paraprite të një njëjtësimi në të ardhmen të faktorit shqiptar, duke e kërkuar realisht dhe me më shumë zë kryeministrin shqiptar. Precedenti i kësaj radhe duhet të kthehet në moto për shqiptarët dhe element bashkimi. E, paçka se Ahmeti nuk është shprehur duket se kemi një tërheqje taktike të tij, e provat i dha teksa parimisht ka rënë dakord me kryeministrin për shtyllat prej të cilave respektohet vendi i vogël: Respektimi i Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë si dhe për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, por që sërish janë pak për një marrëveshje, që do firmoset në orët në vazhdim.

Duket se Ahmeti e bëri punën e tij këtë herë. Tashmë, i duhet të ngrejë realisht një mendim politik bashkëkohor, të ndikojë në vend për të ardhmen e shqiptarëve dhe maqedonasve por edhe rajonit në përgjithësi. Njëzëshëm. Fortë. Pikë së pari, në respekt të Maqedoninë. Pastaj, në respekt të Rajonit. Dhe, koha e shqiptarëve ka ardhur, pavarësisht se këtë herë do jetë apo jo Ali Ahmeti dhe kërkesa e tij në qendër të vëmendjes. Ajo tashmë e mori qytetarinë dhe oreksi i shqiptarëve u bë publik. Por, të marrin jetë e formë duhet që idetë dhe platformat t’u jepet frymë, kurse partitë shqiptarë në Maqedoni janë ende në sensin e maturimit dhe pastrimit të ideologjive. Që, edhe me kaq e dredhin Zaevin dhe gjithë spektrin politik maqedonas.