Problemet me radiologjinë, Filipçe: Po kërkojmë zgjidhje afatgjate

-Pres detaje nga drejtori, deri më tani nuk kam qenë i informuar që ka pasur ndonjë problem tek bërja e rezonancës magnetike tek fëmijët që gjithashtu kanë nevojë për anestezion, çfarëdo që të jetë do ta zgjidhim problemin, kështu u përgjigj ministri Venko Filipçe në pyetjen e TV Alsat për mungesën e pajisjeve për MRI në Institutin e Radiologjisë në Shkup.

Mirëpo kur u pyet se pse nuk po punon edhe aparati për rezonancë magnetike pranë spitalit “8 Shtatori”, ministri Filipçe tha se për problemet në fushën e radiologjisë po kërkohet zgjidhje përmes partneritetit publiko-privat.
“Shumë shpesh ndodh që këto aparatura të jenë të mbingarkuara, ky është një problem me të cilin ne ballafaqohemi një periudhë të gjatë dhe në këtë kuptim kjo kërkon një zgjidhje afatgjate. Për këtë ne kemi nisur një procedurë për studim fizibiliteti në lidhje me atë se çfarë nënkupton dhe cili do të ishin benefitet nga një partneritet publiko-privat në pjesën e radiologjisë, po presim rezultatet e studimit”, tha mes tjerash Filipçe./AlsatM