Prizreni dhe Tetova do të lidhen me tunel!

Duket, se ka hapa konkret drejt realizimit të projektit të autostradës që do të lidhë Prizrenin dhe Tetovën.
Kjo kuptohet nga një shkrim i zëvendësministrit të Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Hysen Durmishi i cili duke shpërndarë një fotografi në profilin e tij në Facebook, shkruan:
“Kodra mbrapa meje do të depërtohet me tunel. Prizreni e Tetova po bashkohen”,

Ai gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Prizren, ku siç thotë, kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka njoftuar “për përparimet në këtë projekt”.
Ky projekt ishte premtim i Qeverisë Kurti, ndërkaq, gatishmëri kanë shprehur edhe funksionarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në fillim të këtij muaji,u pyet Ejup Rrustemin, drejtor në Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë” se çka konkretisht u bisedua në takimin që zhvilloi me homologun e tij në Kosovë për rrugën e shumëpremtuar Tetovë-Prizren.

Ai tha, se fillimisht duhet të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi e pastaj të fillojnë procedurat.
“Rruga Tetovë-Prizren është në programin e Qeverisë. Para se gjithash duhet të kemi memorandum për bashkëpunim mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë. Presim që të nënshkruhet memorandumi mes këtyre dy vendeve dhe pastaj të ndajmë pikët e përbashkët që më vonë të fillojmë me projektin fillestar dhe ideor”, tha Rrustemi më 4 qershor 2021.