Pritshmëritë për takimin Biden-Erdogan

Ndër takimet më të vështira me të cilat përballet Presidenti Joe Biden gjatë qëndrimit të tij në Evropë do të jetë ai i javës së ardhshme me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan. Disa analistë paralajmërojnë se marrëdhëniet SHBA-Turqi janë afër pikës së një përkeqësimi të rëndë.

“Gjithmonë ka patur periudha problemesh të shoqëruara me mosmarrëveshje dhe mospërputhje qëndrimesh, por ajo që po përjetojmë aktualisht është ndoshta pika më e ulët e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pra, marrëdhëniet mes dy vendeve ose do të riparohen në një moment ose ndoshta ato do të prishen në mënyrë të pariparueshme dhe të pakthyeshme“, tha eksperti Serhat Guvenc.

Një pikë tensioni është heqja e Turqisë nga programi i Shteteve të Bashkuara për avionët luftarakë F-35 pasi Ankaraja bleu sistemin e raketave anti-ajrore të Rusisë S-400. Uashingtoni thotë se blerja dëmton sistemet e mbrojtjes së NATO-s.
Marrëdhënia e Turqisë me Rusinë është një nga pikat e mosmarrëveshjeve mes aleatëve.

Shtypja nga Presidenti Erdogan e disidentëve nxiti Presidentin Biden që ta quante presidentin turk autokrat vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Biden e ka bërë promovimin e demokracisë në mbarë botën një parim themelor të politikës së tij të jashtme. Edhe zoti Erdogan ka ankesa. Uashingtoni po mbështet forcat kurde në Siri të cilat ishin të dobishme në luftën kundër Shtetit Islamik, ndërsa Turqia i konsideron ata terroristë.
Por, sipas një këshilltari presidencial, Ankaraja e sheh takimin Erdogan-Biden si një mundësi për një fillim të ri.

“Unë besoj se në listën e Turqisë do të ketë angazhime kryesore që do të hapin një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, Turqia është e gatshme. Por nuk ka vend për ëndrra në politikën reale, vetëm racionalitet. Amerika është një vend pragmatik dhe duhet të mendojë për koston që mund t’i shkaktojë humbja e një aleati si Turqia”, tha Mesut Casin, profesor në Universitetin e Stambollit Yeditepe.

Në një përpjekje për t’i kujtuar NATO-s rëndësinë e Turqisë, Presidenti Erdogan tha se avionët luftarakë turq së shpejti do të dërgohen në Detin Baltik në mbështetje të aleatëve të saj ndërsa ata përballen me Rusinë.
Por një raport i agjencisë së lajmeve Reuters që citonte disa diplomatë thotë se Turqia nxiti aleatët e NATO-s që të kishte një dënim më të butë të NATO-s për Bjellorusinë pas uljes me forcë të një avioni civil nga autoritetet bjelloruse. Kjo u interpretua gjerësisht si një gjest pro-rus.

Presidenti Erdogan këmbëngul se Turqia mund të ketë marrëdhënie të mira si me Moskën ashtu edhe me Perëndimin. Por mesazhi i mundshëm nga Presidenti Biden për zotin Erdogan, sipas një analisti, është që Turqia të detyrohet të bëjë një zgjedhje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke hequr dorë nga raketat ruse.

“Nuk është e mundur që t’i mbash të lumtur amerikanët dhe rusët. Kështu që, zoti Erdogan, për fat të keq është i detyruar të bëjë zgjedhjen, një zgjedhje shumë e vështirë. Është koha që ai të bëjë një zgjedhje të vështirë, nuk shoh asnjë mundësi se si ai mund të shtyjë një vendim kaq të rëndësishëm”, thotë Serhat Guvenc nga Universiteti Kadir Has.
Megjithatë Presidenti Erdogan dhe ministrat e tij kanë thënë vazhdimisht se raketat ruse do të qëndrojnë, duke e quajtur atë një çështje të sovranitetit kombëtar