Pritjet e gjata, peticion për heqjen e kufirit Kosovë-Maqedoni


Për shkak të pritjeve të gjata në vendkalimin kufitar Hani i Elezit-Bllacë, një grup i të rinjve ka filluar një peticion online për heqjen e së paku njërit nga kufijtë.

Ata kërkojnë “One-stop-point” me qëllim që të mos presin dy herë, duke iu shmangur kështu humbjes së kohës dhe shpenzimeve të derivateve gjatë pritjes.

Më poshtë keni kërkesën e plotë:

“Qëllimi i peticionit është të mbledhim shumë nënshkrime që të ju tregojmë të dy kryeministrave të vendeve dëshirën e njerëzve për të hequr njërin nga kufijtë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë një bashkëpunim të mirë ekonomik. Ka shumë lëvizje mes të dy shteteve. Të dy shtetet kanë benefite ekonomike nga ky bashkëpunim. Të dy shtetet gjithashtu kanë arritur një marrëveshje të shkëlqyer në vitin 2016 që të ua lejojnë qytetarëve të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime.

Pra, problemi që shfaqet këtu është që për të kaluar në këtë kufi duhet të presësh dy herë, duke shkaktuar vonesa të shumta. Kjo pritje e rrit koston e transportit dhe e vështirëson planifikimin.

Ne kërkojnë që të largohen kufinjtë e dyfishtë dhe të bëhet vetëm një pikë kontrolli”.