Pritet rikthimi i jetës studentore në konvikte

Pandemia me virusin korona ka zbehur bukur shumë jetën studentore. Studentët nga amfiteatrot u transferuan para laptopit në shtëpi, nga bibliotekat e qyteteve dhe konvikteve u transferuan në dhomën e tyre të mbyllur dhe të vetëm pa kontakte të shpeshta me kolegët dhe shokët tjerë. Mungesa dhe atmosfera më së shumti është vërejtur në konviktet studentore. Ato gjatë dy viteve të fundit mbetën të zbehta dhe të zbrazëta. Kanë munguar atmosfera që krijonin studentët, bisedat e vonshme mes tyre, organizimet e festave me muzikë në konvikte, debatet dhe shumë gjëra të tjera që karakterizonin jetën studentore në konviktet e Shkupit. I gjithë ky ndryshim ndodhi kur për një moment u mbyllen konviktet si masë për ta parandaluar shpërndarjen e virusit korona.

Adriana Daçi, përgjegjëse e studenteve në konviktin e studenteve “Pellagonija” – Shkup, ka deklaruar se sipas vendimit të qershorit mund të pranojnë numër me kapacitet të plotë për akomodimin e studenteve në konvikt duke i respektuar protokollet e parapara shëndetësore. “Por me rritjen e numrave të të infektuarve të rinj me virusin korona, mund të ketë ndryshime dhe presim informim nga Ministria e Arsimit, nëse do të ketë ndryshim të protokollove për këtë vit akademik”, thotë Daçi.

Nga ana tjetër nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kanë informuar se këtë vit akademik konviktet shtetërore do të pranojnë studentët me kapacitetet e plota të tyre. “Në hyrje të konvikteve dhe në çdo dhomë të studenteve duhet të vendosen informacione mbi mbrojtjen ndaj virusit dhe rregullat shtëpiake. Gjithashtu duhet të vendosen dezinfektues në çdo hapësirë të konvikteve, dezinfektim i hapësirave dy herë në ditë. Shërbimet e konvikteve duhet të ndjekin të gjitha protokollet e parapara për mbrojtje ndaj virusit korona”, shprehen nga MASH.

Studenti i juridikut Eren Ali, për gazetën KOHA, ka deklaruar se çdo vit akademik fillon me një lloj emocioni por viti i kaluar dhe ky vit janë paksa më ndryshe sepse nuk dihet qartë se çka do të ndodhë me ne. “Kjo pikërisht jetësohet kur jeton në konvikt apo ambiente mes studentesh. Pas pandemisë e cila na izoloi, jeta në konvikte ishte shumë më ndryshe, numri i studenteve u reduktua tej mase, leximorja nuk punonte dhe jeta në konvikt ishte shumë më ndryshe se viteve të kaluara”, deklaroi Ali.

Ai beson se këtë vit nëse studentët do të jenë të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm shëndeti i të gjithëve do të jetë më i sigurt. Për fund thotë se jeta në konvikte do të jetë shumë sfiduese, sepse do të ketë rregullta më shtresuese të cilat duhet të respektohen por edhe hapësirat ku duhet të ndahet dhoma janë të ngushta.

Nga ana tjetër, çdo vit studentët ankohen për kushtet e mjerueshme në konviktet studentore për tualete të prishura, mure të mykura, minj, dhe insekte të ndryshme bredhin në hapësirat e konvikteve. Sipas tyre, përveç kushteve të mjerueshme, po ashtu edhe ushqimi në konvikte është shumë i keq dhe siç thanë ata nga kujtimet e ditëve studentore do t’ju ngelet era e keqe e cila kundërmon pothuajse tërë kohën në numrin më të madh të konvikteve shtetërore dhe jo kujtime të paharrueshme pozitive siç duhet të kenë të gjithë studentët në memorien e tyre.

Ndryshe, sipas publikimeve të MASH-it, për t’u vendosur në konviktet shtetërore, për çdo muaj studentët duhet të paguajnë nga 60 euro apo në kundërvlerë të denarit 3660 denarë, ku përfshihet një krevat dhe dy vakte ushqimi në ditë. Të liruar nga pagesa janë studentët me aftësi të veçanta, ata të rasteve sociale dhe ata me prindër që marrin rrogë jo më të madhe se minimalja.