Prishtinë, prindërit detyrohen të dalin prej shtëpisë, djali i kërcënonte dhe kërkonte t’ia paguanin paratë që mori me fajde

Problemet në të cilat futen të rinjtë, jo rrallëherë shkaktojnë telashe në familjet kosovare. Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese dhe këto ngjarje bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një burrë e një grua kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar të birin 34-vjeçar për dhunën dhe presionin që ka ushtruar ndaj tyre.

Bazuar në dëshminë e prindërve, ata janë detyruar të largohen nga shtëpia si pasojë e problemeve nga djali, i cili iu kërkonte të holla.

Sipas informacioneve të para, 34-vjeçari kishte marrë para me fajde dhe nga prindërit e tij kërkonte qindra euro që t’i kthente të hollat që i kishte marrë me interes.

Kërkesat, kushtëzimet e kërcënimet e tij iu kanë shkaktuar shqetësim e frikë dy viktimave, të cilët kanë dalë të banojnë diku tjetër dhe kanë vendosur ta denoncojnë në Polici, thonë tutje të njëjtat burime.

Si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.