Prishtinë, në QKUK po trajtohen 141 pacientë me COVID-19

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se, në repartet e saj, janë të shtrirë 141 pacientë me sëmundjen COVID-19.

“Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 112 raste me COVID-19, në pulmologji 20 pacientë kurse në mjekësinë sportive, njësia intensive janë të shtrirë 9 pacientë”, thuhet në njoftim.

Në Klinikën Infektive, 58 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

“Prej tyre, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respirator”, thuhet në njoftim.

Nga Klinika Infektive janë lëshuar 5 pacientë, 3 prej të cilëve me COVID-19, por me gjendje stabile klinike dhe 2 të shëruar nga sëmundja.

Në bazë të të dhënave të fundit numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 3,064. Prej tyre, 55 pacientë kanë vdekur dhe 1,707 janë shëruar.