Prindërit na mësuan gjithçka, përveç se si të jetonim pa ta…


“Familja është gjithçka”. E di që ndoshta një shprehje e tillë mund të të duket klishe, për shkak të përdorimit të gjerë, por nëse e mendon vërtet thellë, e kupton që është e vërtetë. Në çdo vështirësi, në çdo moment kur kërkon mbështetjen e dikujt, pranë do të gjenden përherë prindërit apo vëllezërit e motrat. Askush tjetër nuk do të mbështesë apo do të ndihmojë pa kushte, përveç tyre.

Prindërit janë shtylla më e fortë, ku mund të mbështesim veten. Janë ata që na kanë mësuar gjithçka me durim, që nga hapat e para në jetë. Ama ka një gjë që nuk na e kanë mësuar, si të jetojmë pa ta. Është kaq e vështirë, thuajse e pamundur ta kalosh humbjen e tyre. Vetëm dikush që e ka përjetuar, mund të më japë të drejtë.

I kërkon dhe nuk i gjen. Hyn në shtëpi, pret të dëgjosh zërin e tyre, por gjithçka që dëgjon është heshtja. E ndjen pafund zbrazëtinë. Në mendje të duket sikur do i shohësh përherë të ulur në divanin e tyre të preferuar, por në realitet atë divan e gjen bosh. Kështu ka për të qenë përherë. Nuk e bind dot veten për humbjen e tyre, nuk ke për ta bindur kurrë, pasi të duket sikur i ke gjithmonë pranë. Ama kur i kërkon, e ndjen se sa shumë mungojnë. E ndjen mungesën e tyre në gjithçka që më parë e kishe rutinë bashkë me ta.

Ndoshta dashurinë e tyre, ndërsa i kemi në jetë dhe pranë, e marrim si të mirëqenë. Kur i humbasim, kuptojmë se sa gabim kemi bërë. Është dashuria që nuk mund të zëvendësohet me asnjë dashuri tjetër. Mund të humbasim miq e të fitojmë miq të rinj. Mund të humbasim kolegë e të fitojmë kolegë të rinj. Ama kur humbasim prindërit, nuk mund të sigurojmë dot prindër të rinj e të zëvendësojmë dashurinë që ndiejmë për ta.

Na kanë mësuar vërtet gjithçka, përveç se si të jetojmë pa ta. Këtë nuk do na e mësojnë kurrë. As koha nuk do na e mësojë kurrë, pasi as ajo nuk është e aftë ta zbehë dhimbjen që lë pas ndarja e tyre nga jeta. Ne thjesht mësohemi, mendojmë se ia kemi dalë, por me ngjarjen e parë që na i kujton prindërit, mendja na kthehet sërish tek ta….