Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta si pjesë të shoqërisë është sfidë në vete dhe goxha e vështirë. Kjo për shkak se mungojnë kushtet elementare për përfshirjen e tyre në shoqëri por edhe në sistemin arsimor. Ndërkohë situata me virusin korona, ka komplikuar edhe më shumë gjendjen e tyre dhe sfidat e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta janë shtuar edhe më shumë në krahasim me situatën para pandemisë me virusin korona. Prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta, vazhdimisht janë ankuar për vështirësitë e tyre që hasin çdo ditë me fëmijët e tyre por edhe me kushtet që ofrohen në institucionet publike. Prindërit deklarojnë se ndër vështirësitë më kryesore janë mos interesimi i autoriteteve shtetërore e cila rezulton me mungesën e qendrave për kategorinë e këtyre fëmijëve në disa qytete kryesore të vendit tonë, numri i pamjaftueshëm i profesionistëve të angazhuar dhe ndër problemet tjera është edhe bullizmi nga shokët e tyre në shkollë.
Fatime Zenuni, nënë e Esat Zenunit, i cili është autik, për gazetën KOHA, ka deklaruar se sikur në shtetin tonë të kishte shkolla rehabilitimi dhe të punohej me fëmijët autik sot djali i saj do të ishte më mirë. “Esatin duhet me e dërguar deri në Shkup, në shkollë speciale shkaku i mungesës së kësaj në Kumanovë. Atje ka më shumë mundësi për t’u përmirësuar, por kjo është sfidë në vete sepse problem i madh është transporti”, shprehet ajo. Sipas saj, vështirësitë ishin edhe më të mëdha gjatë karantinës si shkak i pandemisë me virusin korona. Ajo ka thënë se mbyllja në shtëpi të djalit të saj dhe ndryshimet të cilat i ka pësuar gjatë izolimit kanë qenë të vështira. “Karantina e ka ndryshuar plotësisht Esatin. Duke filluar që nga ndryshimi i orarit të gjumit, shtimi i agresivitetit dhe plotësimi i kërkesave të tij, si shëtitja dhe dëshirat tjera. Por unë, si të gjithë prindërit tjerë me fëmijët autik, nuk mundemi të arrijmë t’ia plotësojmë të gjitha dëshirat, sepse kemi dhe angazhime tjera. Për këtë arsyeje shteti duhet të siguroj asistente për këtë kategori të qytetarëve”, shprehet ajo.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për gazetën KOHA, kanë deklaruar se rritja e gjithëpërfshirës së sistemit arsimor është një nga synimet për të cilën do të përpiqen në periudhën në vijim, sepse siç thanë nga atje, çdo nxënës meriton mundësitë e duhura dhe të barabarta për arsim cilësor. “Nxënësit me aftësi të veçanta ndjekin mësimet në shkollat fillore speciale dhe qendrat e rehabilitimit shtetëror, por ka nxënës të cilët janë përfshirë në shkolla të rregullta, ku shkollohen sipas të njëjtave planprograme si të gjithë nxënësit e tjerë, me ekipin gjithëpërfshirës të përbërë nga një mësues, një bashkëpunëtor profesional, edukator special, psikolog, pedagog etj. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të forcojë shërbimet profesionale në shkolla, duke punësuar kuadro të përshtatshme, ku mungon ose nuk mjafton për të plotësuar nevojat e nxënëseve”, shtuan nga MASH. Sipas tyre, këtë vit shkollor për herë të parë u prezantua shërbimi i asistencës arsimore, i cili është parakusht për ofrimin e arsimit gjithëpërfshirës. Ata thanë se për nxënësit në arsimin fillor janë punësuar 500 asistentë edukativë, projekt i cili do të vazhdojë të realizohet edhe në periudhën e ardhshme. “Do të vazhdojë prokurimi i teksteve shkollore në arsimin fillor, të cilat përveç formës së printuar do të jenë edhe në format dixhital dhe audio, si dhe të shkruara në alfabetin Brajë. Ne gjithashtu do të prokurojmë teknologji ndihmëse dhe mjete vizuale për studentët me aftësi të kufizuara”, nënvizuan nga MASH. Në fund nga atje shtuan se dhënia e bursave për nxënësit me aftësi të kufizuara rregullohet nga programet standarde për nxënësit dhe studentët në mënyrë që asnjë e drejtë e disponueshme të mos u mohohet por të zgjerohet mundësia për këtë kategori të nxënëseve. (koha.mk)