Vladimir dhe Miljana Kecmanoviç prindërit e 14-vjeçarit Kosta Kecmanoviç, i cili vitin e kaluar kreu një masakër në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, janë shpallur fajtorë në fund të gjykimit në Beograd. Vladimir Kecmanoviç mori një dënim prej 14 vjetësh dhe gjashtë muajsh burg, ndërsa gruaja e tij u dënua me tre vjet burg.
Një dënim prej një viti dhe tre muajsh burg mori Nemanja Marinkoviç, instruktori në poligonin e stërvitjes ku Kosta ka mësuar të qëllojë.
Vladimir Kecmanoviç u shpall fajtor për shkaktimin e një rreziku të përgjithshëm për shkak se mbante armë dhe municion në mënyrë të paligjshme, duke i mundësuar djalit të tij të kryente një masakër.
Miljana Kecmanoviç u dënua për mbajtje të paligjshme të armëve dhe pajisjeve eksplozive pasi në një nga plumbat e gjetur në shkollë u gjet ADN-ja e saj. Të dy prindërit u shpallën fajtorë edhe për krimin e abuzimit dhe neglizhencës ndaj fëmijës të mitur.
Në aktin akuzues thuhet se prindërit e kishin neglizhuar gjendjen psikologjike dhe emocionale të djalit të tyre dhe nuk kishin reaguar ndaj ndjenjave që kishte zhvilluar pasi ishte refuzuar dhe nuk ishte pranuar në klasën e tij.
Në sulmin që tronditi të gjithë rajonin, 13-vjeçari Kosta Kecmanović vrau nëntë nxënës dhe një roje më 3 maj 2023, pas të cilit dorëzohet në polici.