Kodi i ri Civil ka sqaruar shumë çështje të hapura pronësore dhe trashëgimtare, madje për herë të parë ka hapur rrugë për martesën mes gjinive të njëjta.
Kështu tha ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i cili në një konferencë për medie ka deklaruar se janë në përfundim të procedurave të Kodit Civil.
Selimi beson që Kodi Civil do të marrë përkrahjen nga Kuvendi i Kosovës, për çka kërkoi që sa më parë të procedohet në komisionet përkatëse.
Ai tha se ky Kod Civil do i përfshijë pesë libra që do rregullojnë disa çështje që kanë qenë të pazgjidhura për shumë vite në Kosovë.
“Janë sqaruar të drejtat pronësore, mënyra si fitohet dhe humbet pronësia, gjithashtu e kemi rregulluar një çështje shumë të rëndësishme e cila ka të bëjë me qytetarët e huaj. Është sqaruar e drejtat e shtetasve të huaj për të pasur pronësi në Kosovë ku kemi vendosur që parimisht të gjithë janë të barabartë. Por ne do punojmë në një ligj të veçantë që ta rregullojmë këtë barabarësi të shtetasve të huaj që dëshirojnë të kenë pronë në Kosovë“, theksoi ai.
Përmes këtij Kodi Civil është siguruar që edhe gratë të arrijnë të realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë.
Ministri i Drejtësisë në vend, Selim Selimi tha se për herë të parë përmes kontratës martesore mund të rregullohen raportet pronësore brenda martesës.
Ai madje tha se përmes këtij Kodi Civil me një ligj të veçantë po i hapet rrugë martesave mes gjinisë së njëjtë.
“Është siguruar më mirë barazia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare është siguruar një mbrojtje më e mirë e drejtave pronësore për gratë duke paraparë për herë të parë kontratën martesore me të cilën mund t’i rregullojnë raportet pronësore. Në rast se nuk ka kontratë zbatohet ligjit dhe pasuria është e barabartë 50 për qind me 50 për qind për secilin bashkëshort… Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve mund të bëhet vetëm duke u siguruar vetëm një procedurë transparente dhe duke u njoftuar palët trashëgimtare me pasojat që ka heqja dorë nga e drejta në trashëgimi…Për herë të parë ruhet aspekti tradicional i martesës por hapet rrugë për union civil në martesën mes gjinive të njëjta”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka konfirmuar se do ta vizitojë Luginën e Preshevës për të parë nga afër problemet që i preokupojnë banorët e asaj ane.
“Mendojmë që një vizitë e tillë mund t’u jepte një siguri atyre qytetarëve në Luginë të Preshevës që e kanë përkrahjen e shtetit të Kosovës dhe e kanë përkrahjen, edhe në aspektin politik, edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin kulturor. Në bazë të marrëveshjes së Brukselit jemi në pritje të përgjigjes nga shteti serb por vizita pritet të realizohet shpejtë. Vizita do të jetë e udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe unë do marrë pjesë në delegacionin e saj”, theksoi Selimi.
Projekti për Kodin Civil është mbështetur për Bashkimi Evropian dhe në të është punuar për disa vite nga qeveri të ndryshme në Kosovë.