Presin për ngushëllime, për kufomat s’dihet asgjë! Profesori rrëfen për studenten: “Ishte më e dalluara”

Po presin njerëz për ngushëllime, por familja Haliti nga Piroku i Bogovinës ende nuk e di se kur do sillen kufomat nga Bullgaria. Kjo familje humbi dy anëtarë nga aksidenti me autobusin e Besa Trans.

“Informatat janë shumë të vogla edhe shumë simbolike pasi që nga ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar policinë edhe policia zyrtarisht na ka informuar se janë të vdekura, dhe është kërkuar ADN nga familjarët tanë. Ne një pjesë kemi dhënë tash duhet edhe fëmijët edhe nesër në mëngjes ta kryem këtë obligim. Informacione më të sakta nuk japin ne edhe pse kemi tentuar pak më shumë të dimë se si do sillen, kur do sillen ata na thonë se do zgjasë tre deri në katër ditë deri sa të kompletohen dokumentacionet”, thonë nga familja Haliti.

Nga kjo lagje kanë planifikuar të udhëtojnë më shumë persona, por në moment të fundit për shkak të angazhimeve ata kanë anuluar udhëtimin.

“Ishte në plan që të shkojnë shtatë apo tetë gra, disa i kanë anuluar për shkaqe të punëve familjare. Ata dyja e vendosën të udhëtojnë dhe kështu ka qenë e shkruar të ndodhë, e dikush të shpëtojë”, theksojnë nga familja Haliti.
Jetën në këtë aksident e ka humbur edhe 23 vjeçarja Albina Beluli. Nga familja e saj nuk deshën që të japin asnjë prononcim, por foli profesori i saj Qebir Avziu.

“Unë si profesor kam pas rast t’i ligjëroj studentes Albina Beluli e cila që nga cikli parë është dalluar nga studentët e tjera pasi që ka pas një sukses jashtëzakonisht të mirë. Ajo ka një mesatare prej 9.88 në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë e ka mesataren 10”, tha Qebir Avziu, dekan i Fakultetit Juridik.
Televizioni 21 gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe të afërmit e familjeve tjera, por disa dyer ishin të mbylla e disa nuk deshën të prononcohen. Në aksidentin tragjik në Bullgari jetën e humben gjashtë qytetarë të Tetovës.