Presidentja reagon pas eleminimit të Majlinda Kelmendit: Me ty jemi të gjithë, e arta jonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas eliminimit të Majlinda Kelmendit nga Lojërat Olimpike.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme dhe se i ka sjellë Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.

“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.

Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të lu*ftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave”, ka shkruar Osmani.
Tutje, Osmani ka thënë se pavarësisht rezultatit, ajo ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë.
Majlinda është Kosova!”, thuhet në postimin e Osmanit.

Majlinda Kelmendi ka dështuar ta tregojë suksesin që e arriti në Lojërat e kaluara Olimpike.
Ajo në “Tokyo 2020” u mund qysh në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Një waz-ari i marrë në shënim të artë, bëri që Kelmendit t’i ndalet synimi për të fituar një tjetër medalje olimpike.

Kështu, kampionia olimpike e Rio 2016, nuk arrin të vazhdojë tutje garat e xhudos në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Dje, Distria Krasniqi e bëri atë që Majlinda e kishte bërë pesë vite më parë, e fitoi medaljen e artë olimpike.
Kujtojmë se edhe tre xhudistë kosovarë do të garojnë ditët në vijim. Bëhet fjalë për Nora Gjakovën, Akil Gjakovën dhe Loriana Kukën.