Presidenti kroat: Serbia duhet të jap shpjegime për sulmin në Kosovë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, në një prononcim para gazetarëve të martën, ka thënë se Serbia duhet të jap shpjegime për sulmin terrorist të një grupi paramilitar serb, më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndërsa është shprehur kundër mundësisë që Bashkimi Evropian (BE) t’i vendosë sanksione shtetit serb.

Millanoviç ka komentuar qëndrimin e përbashkët të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviç, të cilët, në një konferencë për media të hënën në Zagreb i kanë bërë thirrje BE-së të ndërmarrë masa kundër Serbisë, pas sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit që banohet kryesisht me serbë etnikë.

“Rama duhet të ketë thënë diçka koherente, por Pllenkoviçi nuk ka thënë asgjë. Serbia do të duhet të japë një shpjegim për këtë. Ata nuk janë disa djem që bëjnë tifo, ata janë të armatosur dhe të stërvitur. Sa për çështjen e sanksioneve, nuk më pëlqejnë sanksionet që nuk janë shpallur nga Këshilli i BE-së sepse ato kthehen në terror”, ka thënë Millanoviçi, transmeton “N1”.

(www.plu68.com)