Presidenti i Koresë së Jugut shpalli gjendje të jashtëzakonshme, por parlamenti e anuloi shpejt

Parlamenti i Koresë së Jugut votoi për të anuluar gjendjen e jashtëzakonshme që presidenti Jun Suk Jeol shpalli më herët gjatë ditës.
Jun shpalli gjendje të jashtëzakonshme ushtarake, duke pretenduar se po luftonte forcat antishtetërore, ndërsa përballej me opozitën që kontrollon parlamentin dhe të cilën ai e akuzon për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.
Ky veprim u dënua menjëherë nga opozita dhe lideri i partisë konservatore të Jun-it.
Menjëherë pas shpalljes së Jun-it, ushtria e Koresë së Jugut deklaroi se parlamenti dhe “mbledhjet politike që mund të shkaktojnë konfuzion shoqëror” do të pezulloheshin, sipas agjencisë së lajmeve koreano-jugore Yonhap.

Ushtria gjithashtu njoftoi se mjekët që janë në grevë duhet të kthehen në punë brenda 48 orëve.
Mijëra mjekë kanë qenë në grevë për muaj të tërë kundër planit të Qeverisë për të rritur numrin e studentëve në fakultetet e mjekësisë.
Ushtria deklaroi se çdo person që shkel urdhrin mund të arrestohet pa ndonjë urdhër të veçantë.
Sipas ligjit koreano-jugor, gjendja e jashtëzakonshme mund të anulohet me shumicë votash në Parlament, ku shumicën e mban Partia Demokratike opozitare.
Kryetari i Kuvendit, Vu Von Shik, përmes një deklarate në YouTube u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mblidhen menjëherë para Kuvendit, ndërsa pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë që të qëndrojnë të qetë dhe në pozicionet e tyre.
Një fotograf i Associated Press-it raportoi se të paktën tre helikopterë, ndoshta ushtarakë, u ulën në hapësirat e Kuvendit, ndërsa dy ose tre helikopterë të tjerë fluturonin mbi ndërtesë.

Cho Kuk, lideri i partisë opozitare më të vogël, tha se nuk kishte mjaft deputetë për të refuzuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi policia bllokoi hyrjen.
Kreu i partisë konservatore “Partia e Fuqisë Popullore” e Yunit, Han Dong-Hun, e quajti vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të gabuar dhe premtoi se “do ta ndërpresë atë bashkë me popullin.”
Lideri opozitar Lee Jae-Myung, i cili humbi nga Yoon në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, e quajti njoftimin e Yunit të paligjshëm dhe jokushtetues.