Presidenti Begaj telegram urimi Zelenskyt me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës: Shqipëria do shtojë nivelin e pranisë diplomatike në Kiev

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i dërgoi një telegram urimi Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

“I nderuar Zoti President!
Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.

Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.
Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.
Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë.”
Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, miratoi Aktin e Deklaratës së Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht 1991. Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë më 25 dhjetor të po atij viti dhe hapi ambasadën në kryeqytetin Kiev. Që nga ajo kohë, nëntë ambasadorë kanë përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Ukrainë. (plu68.com)