Premtimi i parë – Ministri Reka: Brenda vitit do të liberalizohen vizat për kosovarët

Edhe zyrtarisht premtimi i parë për liberalizimin e vizave për kosovarët ka ardhur nga ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë Kurti, Blerim Reka, shkruan Gazeta Metro.
Ministri Reka ka thënë se si prioritet gjatë këtij mandati të tij në Qeverinë Kurti e ka liberalizimin e vizave nga BE’ja për kosovarët pas shumë viteve pritje.

“Në programin tim, si ministër për Integrim Evropian, unë kam saktësuar tri priorite. Prioritet afatshkurtër është që brenda vitit të liberalizohen vizat, përkatësisht që qytetaret e Kosovës të lëvizin pa viza schengen në shtetet anëtare të BE-së”, tha Reka për REL.
Kure Reka ka thënë se dy prioritetet e tjera si ministër janë implementimi i MSA’së dhe kalimi në ERA/2, si dhe përgatitja e statusit të kandidatit të Kosovës në BE deri në fund të këtij mandati.

“Prioriteti afatmesëm është jo vetëm implementimi i MSA-së në nivelin e kërkuar, por edhe kalimi në ERA/2. Kurse, prioritet afatgjatë është përgatitja e Kosovës, pra e dosjes së saj për të aplikuar për statusin e kandidati të BE-së, e cila besoj se do të mund të arrihet në fund të këtij mandati”, ka shtuar Reka.

Ai tha po ashtu se me metodologjinë e re të propozuar nga Komisioni Evropian, procesi i zgjerimit do të jetë më i vështirë sesa që ishte deri tash.