Premtimet e parealizuara të Musa Xhaferit, si zëvendëskryeministër thoshte se BDI nuk shet mjegull

Vota juaj do të jetë përgjigjja më e mirë për ata që bëjnë premtime boshe e shesin mjegull”, deklaronte Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

Kështu premtonte Musa Xhaferi si zëvendëskryeministër në 2014-tën, vit zgjedhor kur edhe kandidaonte për deputet nga radhët e BDI-së. Shprehej po ashtu se “BDI është dëshmuar si forcë që atë që e thotë edhe e bën”. Edhe pas këtyre zgjedhjeve BDI doli fituese dhe u bë pjesë e Qeverisë, por shumë projekte të cilat premtoheshin që atëherë, as sot nuk janë përmbushur, ose janë në fazë realizimi. Tani, Xhaferi, si pjesë e të ashtuquajturit “grup i zjarrit”, akuzon qeverinë se ka dështuar në realizimin e projekteve te vendbanimeve shqiptare. Po çfarë premtonte Musa Xhaferi deri sa ishte zëvendëskryeministër, posti më i lartë që partia shqiptare kishte në kuadër të Qeverisë?

“Pjesa më e veçantë dhe më e rëndësishme është infrastruktura rrugore, pjesa e korridorit 8, si aksi Kërçovë-Ohër 57 kilometra, ndërtimi i autostradës së re, vlera 375 milionë euro, afati i realizimit 2014-2018”, deklaroi Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

Kjo autostradë, edhe pse është dashur të përfundojë, siç thotë Xhaferi në vitin 2018, ende nuk ka përfunduar pas problemesh të shumta me projektimet.

Tjetër…

Rruga Strugë-Qafë Thanë, autostradë e re 16.5 km, vlera 50 milionë euro, afati i realizimi 2014-2018”, tha Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014)

Edhe kjo njëjtë, duhej të përfundonte në 2018-tën, por edhe sot rruga që të shpie deri në pikën kufitare me Shqipërinë është përplot gropa dhe larg standardit të një rruge moderne.

“Hekurudha nga Kërçova deri në Lin, 62.5 km, vlera 332 milionë euro, afati i realizimit 2017-2020”, theksoi Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

Nga 2020-ta, si afat i dhënë për realizimin e këtij premtimi kanë kaluar 2 vjet, por Maqedonia dhe Shqipëria ende nuk janë lidhur me rrugë hekurudhore.

“Gazifikimi i Maqedonisë Perëndimore, vlera 24 milionë euro, afati i realizmit deri në vitin 2018”, deklaroi Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

E përveç këtyre projekteve kapitale që nuk janë mbyllur as 8 vite pasi kanë dalë si premtime, ka edhe projekte lokale për të cilat premtonte zëvendëskryeministri i atëhershëm Musa Xhaferi.

“Spitali i Përgjithshëm Kërçovë, vlera 3.2 milionë euro, afati i realizimit 2015”, pohonte Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

Spitali i Kërçovës vazhdon të mbetet në fazën karabinë, tashmë 40 vjet.

“Këto janë disa nga projektet kryesore që do t’i realizojmë brenda këtij mandati në Komunën e Kërçovës, Strugës, Dibrës, Dollnenit dhe zonës në përgjithësi”, deklaroi Musa Xhaferi, BDI (22.04.2014).

Në total ishin 1081 projekte, në vlerë totale 700 milionë euro! Por çfarë mbajnë mend qytetarët e Kërçovës të ketë bërë ish-zëvendëskryeministri Musa Xhaferi për këtë qytet.

“Jo, Musa Xhaferi jo”.

“Pa marrë parasysh, a Musa Xhaferi, a njëri a tjetri, investimi këtu ka qenë nën zero. Këtu vetëm hajni dhe vjedhje. Plaçkë dhe asgjë tjetër”.

“Në Kërçovë deri më tash nuk e dimë se kanë sjellë ndonjë gjë, e shohim vetëm sheshin që është bërë, asgjë tjetër”.

“A do bëhet spitali i Kërçovës? Edhe 40 vjet do të shkojnë!”

Përveç këtyre projekteve, ka edhe shumë të tjera të parealizuara, siç është për shembull mungesa e kanalizimit në Zajaz, ku ujërat e zeza vazhdojnë të rrjedhin në anë të rrugës.

Në kohën sa ishte zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi akuzohej nga nënkryetari i atëhershëm i BDI-së dhe kryetari i Likovës, Sadulla Duraku për dështime në punësime nga Likova.