Premtime të shumta në fushatë por, përsëri Matka e lënë pas dore!

Ndërtim prej druri dhe shkallë që çojnë nga shtegu i kanionit drejt ujrave të liqenit Matka. Në një tabelë me mbishkrim në gjuhën angleze: “Udhëtim me varkë – Qenan ” shkruan se një shëtitje nëpër liqenin artificial kushton 200 denarë. Çmim ky më i ulët se i konkurrencës. Objekti me dërrasa si duket është paraparë për  kafene apo restorant. Edhe pse shenjat në tabelë tregojnë se në këtë vend bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur, duket cinike kur e shihni objektin pa leje i cili është ndërtuar me muaj të tërë, pa dal as edhe një herë në teren inspeksionet kompetente që të merren me këtë ndërtim të paligjshëm. Nga Qyteti i Shkupit i bëjnë thirrje komunës së Sarajit që ta bëj punën e saj, e nga atje thonë se nuk kanë inspektorë për të dal në terren.

“Nga e dini se është ndërtim i paligjshëm?”, pyet Adam Saraqini, Udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm në komunën e Sarajit.

Ai tha se tek ata nuk ka arritur as një letër nga kryetari Petre Shilegov ose nga institucione të tjera kompetente të cilat  do t’i lajmëronin se duhet të marrin masa për të shkatërruar ndërtimin ilegal në Matkë.

Nga qyteti i Shkupit thonë se me vet iniciativë kanë dalë në terren përmes Inspektoratit të qytetit dhe kanë konstatuar gjendjen e parregullt. Për këtë kanë njoftuar Këshillin inspektues i cili duhet të ndërmarrë  masa plotësuese për mosveprimin e inspeksionit ndërtimor të komunës së Sarajit.

“Përveç kësaj, në koordinim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve e njoftuam Inspektoratin shtetëror i cili duhet të dalë në vend të ngjarjes për ta konstatuar gjendjen dhe në pajtim me atë të sjellë vendim adekuatë nëse do t’ia marrë apo jo ingerencat urbanizmit të Komunës së Sarajit”, theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ai i bëri thirrje komunës së  së Sarajit dhe kryetarit Blerim Bexheti që të fillojnë t’i bëjnë punët për të cilat janë zgjedhur.

“Ne nuk duhet të lejojmë ndërtim pa leje, veçanërisht jo në pasuritë natyrore dhe në një vend të rrallë siq është Matka,” tha Shilegov.

Ndërkohë, Saraqini shpjegon se komuna në të cilën punon përballet me probleme reale dhe prandaj nuk mund të arrijë të jetë kudo në terren.

“Kemi dy inspektorë. Njëri është komunal, por tani është në pushim mjekësor. Tjetri është inspektor i ndërtimit i cili tashmë është në pension. Kemi shpallur konkurs për zëvendësimin e tij, por askush nuk lajmërohet. Prandaj, ne përpiqemi të mbulohemi me komunat me të cilat kemi bashkëpunim të mirë, por nuk mundemi të jemi gjithkund. Unë personalisht nuk kam qenë në Matkë dhe  nuk e kam parë vendin për të cilin më pyesni, kështu që nuk mund të them nëse është  ndërtim pa leje. Më habit edhe ajo që pohon Shilegov, ai ka komunikim të rregullt me ​​Bexhetin, dhe komuna jonë ka bashkëpunim të shkëlqyer me qytetin e Shkupit. Nuk e di se çfarë keni parë gjatë vizitës tuaj, por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se po vjen vera dhe po fillon sezoni turistik. Për rreth Matkës po vendosen tabela të reja, po ngjyrosen,po zbukurohen, që nuk do të thotë se po ndërtohen ose zhvillohen objekte të reja, “tha Saraçini për” Nezavisen Vesnik”.

Të mërkurën nuk kishte as një nga pronarët e varkave rreth objektit në fjalë. Sipas informatave tona, objekti është i ndërtuar nga gjashtë vëllezër, nga fshati fqinj Glumovë, ndikimi i të cilëve është i madh në fshat dhe në autoritetet komunale.

“Ata punojnë që nga viti i kaluar, atëherë askujt nuk i pengonte, por edhe tani ata nuk po fshihen, kanë filluar ta përhapin biznesin, nuk mund të ju bëjnë asgjë “, thonë banorët e Glumovës.

Kanioni Matka është shpallur një ndër vendet më të bukura natyrore  dhe është një zonë e mbrojtur e një kategorie të tretë, do të thotë që nuk janë të lejuara aktivitete që do ta shëmtonin  imazhin e saj. Në një studim të UNDP-së nga viti 2010, thuhet se për mbrojtjen e kanionit Matkë po kujdesen 39 institucione, mirëpo në terren nuk kujdeset asnjëra!