Premtime të ndryshme nga partitë, në fokus të rinjtë dhe ekonomia

Drejtësi për të gjithë, administratë sipas standardeve evropiane, siguri, prosperitet, luftë kundër korrupsionit dhe krimit, reformim i gjyqësorit, jetë më të mirë për të rinjtë, reforma në arsim këtë mbrëmë e premtuan partitë politike qytetarëve në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Partitë programet e tyre zgjedhore edhe sot do t’i prezantojnë në takimet me qytetarët, në pajtim me protokollet shëndetësore. LSDM dhe Koalcioni “Mundemi” janë në Shtip dhe Gjorçe Petrov, ndërsa VMRO-DPMNE dhe koalicioni për “Ripërtëritjen e Maqedonisë” do t’i vizitojnë komunat Vasilevë, Bosilovë dhe Novo Sellë.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev në tubimin e mbrëmshëm në Çair tha se ka përfunduar koha e gruevizmit dhe nacionalizmit.

“Patriotizmi i rremë ka mbaruar. Ne jetojmë në shekullin XXI, në epokë të globalizimit dhe digjitalizimit. Qytetarët do të mbështesin opsionin serioz që garanton të ardhme evropiane, do të mbështesin politikanët që marrin vendime të guximshme për të mirën e të gjithëve, ndërsa ne kemi treguar se rruga që po ndërmarrim është e duhura dhe do të vazhdojmë ta ndjekim atë – drejtësi, ekonomi, ekologji, sport, unitet, miqësi. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha mbrëmë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nga tribuna në Çair.

Ai gjithashtu dërgoi mesazh nga Çairi për të rinjtë që të mos mendojnë për të dalë jashtë vendit.

Lideri i VMRO-DPMNE Hrisitian Mickoskis nga Krusheva theksoi se është i bindur për fitoren e partisë së tij, ndërsa e porositi Zoran Zaevin se pas 15 korrikut do të përfundojë me karrierën politike.

Mickoski akuzoi pushtetin për tradhti kombëtare, për krim dhe korrupsion.

“Zaev dhe LSDM janë doktor shkence për krimin, plaçkitjen, korrupsionin dhe tradhtinë kombëtare, më 15 korrik qytetarët do t’i dërgojnë këta mashtrues në anën e errët të historisë, ndërsa banorët e Krushevës kanë të drejtën për këtë, sepse këtu ndodhi kryengritja e organizuar dhe mbrojtja e shtetit sovran të pavarur maqedonas që në fillim të shekullit XX”, tha Mickoski.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë nga Dibra kërkoi mbështetje masive nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ta fitojë kryeministrin e parë shqiptarë.

“Po hapim një kapitull që ka përkrahje dhe do të gjej edhe më tej para mijëra njerëzve dhe për këtë jam shumë i sigurt. Ne kemi mbyllur një kapitull shumë delikat për këtë vend në vitin që lamë pas duke e anëtarësuar vendin në NATO. Ndërsa tani po hapet kapitulli i anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian që nuk është sfidë e lehtë pasi neve na pret një punë shumë e vështir që kërkon guxim, mençuri dhe profesionalizëm. Vendosja e standardeve evropiane në këtë vend na e përshpejton rrugën drejt anëtarësimit dhe këto standarde janë: veting në të gjitha fushat që nga politikanët, ligjvënësit, funksionarë dhe kryetar komunash, gjyqtarë, prokuror, policë e komandat. Përse të mos hyjnë të gjithë në filtrim. Botërisht kam kërkuar që të hapet hetim që nga fillimi i veprimtarisë së I familjes tonë që nga viti 2002 deri në ditën e sotme. Vetëm kështu mund të jemi më të sigurt dhe të vendosur duke rritur besimin tek njeri tjetrit”, u shpreh në fillim të fjalimit të tij Ahmeti.

Idenë e kryeministrit shqiptar, që e ka nxjerr BDI-ja sipas Ahmetii nuk ka plumb as forcë që e shkatërron pasi idetë nuk vriten por idetë triumfojnë.

“Ne nuk kemi hyrë në garë për të bërë shaka për kryeministrin e parë shqiptar, nuk e duam dhe nuk e bëjmë, për të përmirësuar imazhin dhe as për të përmirësuar historinë e BDI-së, dhe as për ta begatuar historinë time personale, pasi nuk ka momente më të mëdha kur dihet se unë jam fitues i dy luftërave të Kosovës dhe luftës së 2001 këtu në RMV. Kemi dl me këtë ide që të fitojnë shqiptarët sepse janë Zot në këtë vend dhe nuk ka arsye që dikush të jetë aq i zemëruar aq i hidhëruar siç i kam parë kolegët e mi si Zoranin dhe Mickovskin dhe do vocërrak të vogël që nuk i njoh dhe nuk ua mbaj emrat. Ideja jonë për kryeministër i shpie proceset përpara, rrit besimin në mes komuniteteve. Asnjë e keqe nuk i ndodhi këtij vendi ku si shembull mund ti marrim Kërçovën dhe Strugën përkundër reagimeve të shumta ndërkaq që njerëzit bashkëjetojnë”, përfundoi Ahmeti.

Para dibranëve foli edhe kandidati për kryeministër shqiptarë, Naser Ziberi.

“Zotimet që i bëmë për Dibrën ti bëjmë realitet, shkëlqimin intelektual të Dibrës ta kthejmë me zhvillim ekonomikë, përparimtar pasi Dibra e meriton një gjë të tillë. I ftojë gjithë qytetarët shqiptarë, nga komuniteti mysliman, turq, boshnjak, vlleh dhe romë dhe ata maqedonas që janë të shkarkuar nga nacionalizmi të na mbështetni në këtë autostradë pasi kjo rrugë nuk bënë diferenca dhe i bashkon qytetarët”, përfundoi Ziberi.

Partitë sot vazhdojnë me aktivitete zgjedhore. Bartësit e listave kandiduese do të vizitojnë më shumë komuna dhe do të takohen me qytetarët.