Prej sot nuk ka “jetë nate”! Kafenetë dhe restorantet do të punojnë deri në orën 23

Dyert e kafeneve dhe restoranteve prej sot do të mbyllen në orën 23. Kjo është njëra prej masave të reja që hynë në fuqi pasi dje Qeveria i miratoi me rekomandim të Komisionit për sëmundje ngjitëse. Kjo masë nuk do të vlejë për lokalet që kryejnë shërbime me porosi.
“Qeveria i shqyrtoi dhe i pranoi rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse që të kufizohet orari i punës së të gjitha objekteve hotelierike deri në orën 23, përveç atyre që bëjnë distribuim, si dhe të kufizohet kapaciteti i udhëtarëve në transportin publik në 50% nga numri i përgjithshëm i udhëtarëve në një autobus”, tha Dushko Arsovski – zëdhënës i Qeverisë.

Derisa miratohen ndryshimet ligjore, kundër atyre që nuk do t’i respektojnë këto masa, do të ngrihen kallëzime penale. Me ndryshimin e ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje ngjitëse që janë në procedurë kuvendore, do të mundë të mbyllen restorantet dhe të gjobiten me para.
“Andaj sillen masa më të rrepta me të cilat do të mundemi menjëherë t’i mbyllim objektet deri në 30 ditë dhe të shqiptojmë gjobë në të holla në vendngjarje me urdhëresa për pagesë. Këto ditë derisa Kuvendi i sjell vendimet e reja ligjore me të cilat do të veprojmë menjëherë duke i zbrazur objektet dhe duke i mbyllur të njëjtat, ne veprojmë sipas praktikës së deritanishme, përkatësisht me dorëzim të kallëzimit penal sipas nenit 205 dhe 206 për shkelje të protokolleve”, u shpreh Stojko Paunovski – drejtor i Inspektoratit të tregut.

Ndërkohë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe u apeloi deputetëve të VMRO-DPMNE-së të demonstrojnë sjellje të përgjegjshme dhe urgjentisht të votojnë për masat për mbrojtje nga virusi.
“Masat për mbrojtje nga Kovid-19 që janë në Kuvend urgjentisht duhet të miratohen. Deputetët të demonstrojnë përgjegjësi dhe sa më shpejtë që është e mundur të votojnë unanimisht për dy pakot e masave për mbrojtje të popullsisë dhe parandalim të mëtutjeshëm të përhapjes së virusit. Kërkoj që të gjithë të dërgojmë mesazh të unitetit rreth rëndësisë së respektimit të masave”, potencoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Qeveria në seancën e djeshme e pranoi edhe rekomandimin që e gjithë administrata publike dhe shtetërore, komunat dhe gjykatat, sipas parimit të punës dhe procesit të punës, organizimi i punës të zhvillohet në ndërrime ose onlajn nga shtëpia ose në mënyrë të reduktuar me rotacione varësisht nga karakteristikat e procesit të punës së institucioneve. Masa e cila hynë në fuqi është edhe ajo që autobusët të qarkullojnë me 50% nga kapaciteti i tyre.