Nga e diela (16.01.2022) Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe një sërë shtetesh të tjera, për shkak të shifrave të larta të infektimeve të reja me korona, hyjnë sërish në listën e vendeve me rrezik të lartë. Këtë e ka bërë të ditur Instituti Robert Koch të premten (14.01. 2022). Në këtë mënyrë, me përjashtim të Kosovës, të pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zona me rrezik të lartë. Mali i Zi ka qenë në këtë listë qysh në gusht 2021.
Listës i janë shtuar mbi 60 vende, ndër to edhe Austria. Me këtë të fundit, të nënta vendet fqinje të Gjermanisë: Danimarka, Polonia, Çekia, Zvicra, Franca, Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda – janë në listën e vendeve me rrezik të lartë, ku aktualisht bëjnë pjesë rreth 140 nga mbi 200 vendet e mundshme.
Paralajmërim për udhëtime turistike
Zonat me rrezik të lartë janë vendet ose rajonet ku numri i të infektuarëve gjatë shtatë ditëve të kaluara ka qenë mbi 100 për çdo 1000 banorë. Ky është kriteri kryesor, por ka edhe kritere të tjera, të cilat e bëjnë një zonë, zonë me rrezik të lartë, si shpejtësia e lartë e përhapjes, shkalla e shtrimit në spital ose shkalla e ulët e testimit.
Regjistrimi digjital fillon të dielën
Udhëtarët që në dhjetë ditët e fundit kanë qenë në njërin nga vendet e listës duhet të regjistrohen në portalin digjital https://www.einreiseanmeldung.de. Për vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe të tjerat, që i janë shtuar listës këtë javë, regjistrimi mund të bëhet vetëm që nga dita e dielë e më pas, pra nga data 16.01.2021, ora 00:00.
Rregullat e karantinës
Të pavaksinuarit duhet të kenë një test negativ me vete dhe hyjnë automatikisht në karantinë, për 10 ditë. Ata megjithatë kanë të drejtë të dalin nga karantina pas pesë ditësh, në qoftë se testi u del pozitiv, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Fëmijët nën gjashtë vjeçarë nuk kanë nevojë të bëjnë test, por duhet të bëjnë karantinë, e cila përfundon automatikisht pas pesë ditësh.\DW