Nëse inspektorët konstatojnë shkelje të vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë dhe për furnizim me bukë, shkelësit mund të gjobiten prej 800 euro deri në 10.000 euro. Me këtë porosi Inspektorati Shtetëror Tregtar apelojnë deri te të gjithë që të respektohen vendimet e qeverisë, për çka ata do të vazhdojnë kontrollet nëpër kompani, dyqane dhe markete.
“Inspektorati Shtetëror Tregtar vazhdimisht është në terren me të gjitha resurset e saja dhe do të kryejë mbikëqyrje ku do të konstatojë se cila është sasia minimale e bukës që e përfshijnë vendimet e Qeverisë, e cila në bazë ditore patjetër duhet që të furnizohet dhe shitet nga ana e tregtarëve dhe do të kontrollohet dhe çmimi i shitjes deri në 33 denarë”, thuhet në njoftim.
Ata njoftojnë se për dy dytë janë kontrolluar 460 subjekte ekonomike, ndërkaq është vërejtur se çmimi i bukës lëvizë prej 25 deri në 33 denarë.
“Madje në disa vende kishte, kishte bukë me peshë më të madhe se sa parashikohet me vendimin e qeverisë dhe shitej për 33 denarë. Kryesisht respektohet vendimi qeveritar për çmimin e ngrirjes së bukës, por kishte edhe tregtarë të tillë që e kanë shkelur këtë vendim, për çka u janë shqiptuar gjoba në lartësi prej mbi 300.000 denarë”, njoftojnë nga Inspektorati.
Ndryshe, Grupacioni i Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë ka miratuar vendim që prej nesër të ndalojë me grevën dhe të fillojë të prodhojë dhe furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë sipas çmimit të ngrirë prej 33 denarësh.
Ndryshe, shumica e rrjeteve të marketeve më të mëdha prej ku furnizohen qytetarët, sot raftet e bukës me çmim 33 denarë i kishin të zbrazura. Qytetarët ankohen për vendimin johuman të kompanive të bukës, ndërkaq furnizohen nga furrat e vogla.
Në bisedë joformale me njërin prej menaxherëve të një marketi në Çair, na tregoi se ka komunikuar me dy prej kompanive më të mëdha të bukës që i furnizojnë ata dhe se kanë paralajmëruar se prej nesër do të furnizojnë.
“Kjo nuk mund të zgjatë shumë, pasi që kompanitë më të vogla gjithsesi po prodhojnë bukë dhe ata po ua marrin tregun kompanive të mëdha. Nuk është në rregull që ndaluan me furnizimin e bukës, patjetër duhet të ketë zgjidhje, nuk mund të shantazhohen qytetarët me bukën”, tha për Portalb.mk, menaxheri i cili dëshiroi të mbetet anonim.