Prej 200 vitesh rrezikonin jetën mbi shkëmb: Më në fund bashkohen me pjesën tjetër të botës

Fshatarët në një vendbanim të largët në Kinë rrezikonin çdo ditë jetën për të shkuar në shkollë apo punë. E vetmja rrugë që lidhte fshatin e tyre me pjesën tjetër të botës ishin një palë shkallë që vareshin në shkëmbin 800 metra të lartë ku ndodhej fshati i tyre.


Prej 200 vitesh banorët jetonin me vdekjen, por vetëm në vitin 2016, fshati Atule’er në Sichuan u bë i famshëm në të gjithë globin, kur mundimi i përditshëm i fëmijëve për të shkuar në shkollë u fotografua. Ngjitja ose zbritja në “shkallët e qiellit” – siç i kishin pagëzuar vendasit – zgjaste për rreth 2 orë. Ishte mënyra e vetme për ta për të komunikuar me pjesën tjetër të shoqërisë.

Në vitet e fundit, autoritetet kishin zëvendësuar shkallët e drunjta, të ndërtuara në mënyrë artizanale, me shkallë hekuri, që shkurtonin ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe minimizonin rrezikun.