Porti i Durrësit – Berisha: “Nuk do e lejojmë këtë projekt, mos investoni në këtë krim monstruoz”

ilustrim

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prekur edhe çështjen e miratimit të marrëveshjes së Portit të Durrësit në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme me 76 vota pro nga socialistët në Parlament. Berisha theksoi edhe njëherë që kjo marrëveshje sipas tij është një “mega-aferë” dhe është në kundërshtim me kushtetutën e vendit, teksa shtoi se kryeministri Rama ka miratuar një ligj për veten e tij.

Sali Berisha: Ajo që ndodhi mbrëmë në parlament, ata e që e ndoqën, patën rastin të dëshmojnë më shumë se kurrë solidaritetin në krim të pseudomazhorancës socialiste. Ata votuan për grabitjen e portit të Durrësit nga Edi Rama dhe klani i tij. Është detyrim i medieve që të bëjnë transparent këtë zhvillim dramatik.

Dy vite më parë, Edi Rama u deklaroi shqiptarëve se porti i Durrësit do shndërrohet në marinën më të madhe në Mesdhe dhe porti i ri do ndertohet në Porto Romano po nga kompania Emaar. Pra do ndërtonte marinën dhe portin e ri të Shqipërisë. Kjo ishte deklarata e tij, jeni të lutur që ta merrni dhe t’ua paraqisni shqiptarëve të vërtetën. Cila është historia e këtij procesi? Historia është se gradualisht, Emaar siç informuan mediat dhe vetë ata, shet 100 përqind të aksioneve, kjo është e faktuar. Kush i bleu aksionet? Për t’i rënë shkurt për qytetarët, sot dihet që një pjesë të këtyre aksioneve i ka mbajtur Alabar, një miliarder arab. Por 60 përqind të tyre nuk dihet kush i ka. Edi Rama nuk i thotë emrat se është vetë me vëllain dhe klientelën e tij. A mundet një kryeministër të fshehë aksionerët e një afere që shkon të paktën 4 miliardë euro? Kurrë.

Këta aksionerë i kanë financat offshore, nuk ka shqiptar që mund të gjejë se të kujt janë. Janë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Pastaj janë të enturazhit të tyre. Çfarë ndodh më tej? Pas firmosjes së një marrëveshje bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila nuk firmoset nga kryeministri, por ka direkt firmën e tij. Ndoshta Arben Ahmetaj nuk ka pranuar ta firmosë. Por marrëveshja ka firmën e Edi Ramës. Marrëveshja shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, shkel MSA-në me vendet e BE-së. Në të cilën në nenet 70, 71, 74, Shqipëria zotohet se në të gjitha proceset e garave, tenderave, prokurimeve, do jetë e hapur për kompanitë e BE.

A kishte garë? Asnjë garë. Përkundrazi, e kaluan me shpejtësi siç kaluan djegësat. Me urgjencë në parlament. Ajo marrëveshje thotë se përjashtohen nga procedurat e prokurimit të gjithë veprimtaritë. Pra, Edi Rama miratoi një ligj special për veten e tij.

Kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar se opozita nuk do ta lejojë projektin për ndërtimin e Portit të Durrësit si dhe ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shpenzojnë asnjë lekë në atë që Berisha e quan “krim gjigant”.

Sali Berisha: Ne, edhe njëherë, garantojmë se këtë projekt nuk do e lejojmë. U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, mos shpenzoni asnjë lek në këtë zonë krimi gjigant. U bëjmë thirrje kompanive shqiptare, mos u bëni ortakë në këtë vjedhje monstruoze të pronës publike. Tani zëvendësja dhe bashkëpunëtorja në vjedhje e Ramës deklaron se do jenë 200 hektarë, Belinda Balluku. Çdo njëri që merr përsipër të investojë, do i ketë paratë e humbura dhe do konsiderohet bashkëpunëtor në krim. Parlamenti ishte arenë solidariteti në këtë krim monstruoz. Por populli shqiptar do thotë fjalën e tij. Parlamenti mbrëmë, gjithçka u bë në errësirë./tvklan.al