Porosia e Zaevit për kandidatët për ministra

Nuk do të ketë kompromis për ministrat nëse dikush e shkelë ligjin, paralajmëroi mandatari Zaev, ndërkaq nëse shkelen normat etike, pret dorëheqje apo do të ketë shkarkime. Në ekspozenë për përbërjen e re të propozuar të Qeverisë sot para Kuvendit Zaev i porositi kandidatët për ministra se prej tyre pret përgjegjësi, si dhe t’i vendosin interesat e qytetarëve dhe të shtetit në vend të parë.

“Keni privilegjin me punën tuaj të bëni mirë për shtetin tonë dhe për popullin tonë. Shfrytëzojeni. Pres punë të përkushtuar dhe në tërësi të sendërtoheni dhe të udhëhiqni procese të cilat sjellin transformim për më mirë dhe asnjëherë mos harroni se secili prej jush është përgjegjës edhe para qytetarëve edhe para ligjeve nuk ka tolerancë për shkelje të funksionit të cilin e kryeni. Me atë nuk ka pasur dhe asnjëherë nuk do të ketë kompromis. Nëse dikush e shkelë ligjin, do të përgjigjet. Nëse shkelen normat etike pres dorëheqje ose do të ketë shkarkime”, tha Zaev.

Kjo, siç tha, i referohet të gjithë drejtorëve dhe udhëheqësve, por edhe tërë administratës publike.
“Posaçërisht të keni kujdes për sjelljen e atyre nga eshaloni i dytë dhe i tretë, udhëheqës të sektorëve dhe dikastereve, shefa të institucioneve publike. Keqpërdorimet më të[ mëdha, raporti joetik, mu atje bëhen”, theksoi Zaev.

Duke e kërkuar mbështetjen e deputetëve për qeverinë e re tha se kandidatët e propozuar për ministra të rinj janë persona përgjegjës dhe të respektueshëm, të dëshmuar në sferat e tyre, të motivuar dhe të përkushtuar të punojnë në realizimin e qëllimeve të cilat i vendosim para nesh. Nga deputetët kërkoi t’i dëgjojnë votuesit, por edhe të jenë kontrollues dhe korrigjues të punës së pushtetit ekzekutiv.

“Kolegët tuaj nga përbërja paraprake sollën vendime të vështira. Por, përgjegjës dhe përballë vendimeve me të cilat shtetin e çuan përpara dhe në rrugë të vërtetë, në rrugën e zhvillimit, integrimeve. Pres bashkëpunim të ardhshëm me Kuvendin, por e ofroj në emër të qeverisë përgjegjësinë e njejtë dhe përkushtimin për të vazhduar në rrugën e vërtetë. Gjatë mandatit tuaj si deputetë udhëhiquni kryesisht nga interesat e qytetarëve sepse e keni privilegjin mu ju të jeni përfaqësuesit e tyre atje ku sillen vendimet. Dëgjoni votuesit tuaj. Njëkohësisht çdoherë të keni parasysh obligimin të jeni kontrollues dhe korrigjues të punës së pushtetit ekzekutiv që të na jepni vlerë plotësuese në krijimin e politikave. Mundësia e parë për atë gjithsesi është votimi i sotëm për zgjidhje të qeverisë së re dhe pres që shumica e deputetëve të japë mbështetje për propozimin, në mënyrë që edhe njëherë të fillojmë me punë të përkushtuar në interes të qytetarëve”, tha Zaev.

Ai, mes tjerash, në ekspozenë paralajmëroi edhe fokus në përmirësimin e punës së shërbimeve inspektuese dhe potencoi se në tre vitet e fundit vendosen standarde tërësisht të reja në udhëheqjen e institucioneve.

“Treguam se mund të punohet edhe me nder edhe me përgjegjësi dhe me profesionalitet në interes të qytetarëve dhe për interesat e shtetit. Ligji të vlejë njejtë për të gjithë. Këtë në periudhën në vijim do ta bëjmë edhe më mirë edhe më shumë sepse dimë dhe mundemi. I falënderoj të gjithë qytetarët të cilët përmes vullnetit të tyre votues e caktuan drejtimin në të cilin duhet të lëvizim. Tani është koha të punojmë së bashku në projekte dhe aksione të përbashkëta që të reflektojmë atë që e dakorduam bashkarisht. Së bashku me ju, me qytetarët vazhdojmë të shkruajmë kapituj të ndritshëm të demokracisë sonë dhe së bashku të hapërojmë në rrugën drejt jetës më cilësore dhe të ardhmes më të mirë për të gjithë”, porositi Zaev.