Polonia ngriti avionët luftarak pasi Rusia e kreu sulmin më të madh deri më tani në Ukrainë

Polonia njoftoi se sot, më 17 nëntor, ngriti avionët luftarakë dhe mobilizoi të gjitha forcat e mundshme si përgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë ruse mbi Ukrainë. Sipas informacionit të publikuar nga Komanda Operative Polake në mediat sociale, sulmet përfshinin raketa kryqëzore, raketa balistike dhe dronë, të cilat goditën, përfshirë, edhe perëndimin e Ukrainës. Për këtë arsye, Polonia dhe aleatët e saj nisën operacione ajrore të fokusuar për të siguruar zonat e rrezikuara.

Për më tepër, ministri ukrainas i energjisë, Herman Galushchenko, njoftoi se një sulm masiv po zhvillohej mbi sistemin energjetik të Ukrainës, duke synuar kapacitetet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike .

Rusia ka realizuar një nga sulmet ajrore më të mëdha deri më tani, duke përdorur dronë dhe raketa për të sulmuar qytete të qeta, civilë të papërgatitur dhe infrastrukturë kritike. Ky sulm ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev dhe dy rajone të tjera të Ukrainës. Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andriy Sibiga, e përshkroi këtë si një sulm të drejtuar kundër jetës civile, duke theksuar rrezikun e vazhdueshëm që kërcënonin qytetarët dhe pasojat e tij të mëdha për energjinë e Ukrainës .

Kryetari i Kievit, Vitali Kliçko, njoftoi se një person u plagos kur pjesë të një droni ranë mbi një ndërtesë banimi. Sipas raporteve të autoriteteve lokale dhe mediave ukrainase, shpërthime të shumta u dëgjuan në mbarë vendin, përfshirë qytetet e Zaporizhzhia, Odesa dhe Mykolaiv në jug, si dhe Çernihiv në veri. Ky sulm shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturën e qyteteve dhe intensifikoi frikën për sigurinë e qytetarëve në Ukrainë.