Udhëheqësit politik në Maqedoni përmes telegrameve kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Adem Demaçit, i cili ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme.
Politikanët shqiptar nga Maqedonia në përgjithësi lavdërojnë figurën dhe veprat e Adem Demaçit, duke thënë se kujtimi për të do të mbetet gjithmonë.
Ali Ahmeti:
“Frymëzimi jonë, simboli i rezistencës kombëtare, themeli i pavarësisë, shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri na la në moshën 82 vjeçare. Vepra yte Bac, shembullore. Kontributi yt, i përjetshëm. Kujtimi për ty, i pashuar. Rrudhat e tua, hartë e mundit shekullor të kombit. Dheu i Kosovës yte që e mbaje mbi shpatulla me dekada të tëra, nga nesër do ta kesh mbi gjoksin tënd krenar. Ngushëllime familjes, miqve dhe çdo shqiptari për këtë vigan. Lavdi për jetë të jetëve”, ka shkruar Ahmeti.
Afrim Gashi:
Historia jonë, njerëzore dhe kombëtare, nuk do të ishte kjo që jemi pa Ademët. Sot, kur nga ne dhe nga kjo botë është ndarë Ademi i Vetëmohimit, Ademi që luftoi kundër gjarpërinjve të gjakut, vetë metafora e Lirisë, Baca Adem Demaçi, nuk mund të ketë shqiptar në sipërfaqen e Tokës, që nuk ndjen sa e varfër është bërë bota shqiptare pa ty. Bac, ti – përmes jetës tënde – na mësove se sakrifica për liri është më e lavdishme se secila vepër tjetër në robëri. Pafundësisht falënderues Zotit që të patëm! Të qoftë i lehtë dheu! Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Bac!”, ka shkruar Gashi.
Ziadin Sela:
Sot, u shua baca Adem. U shua një nga figurat më të ndritura kombëtare. U shua simboli i rezistencës kombëtare. U shua veprimtari që kurrë nuk u dorëzua, ngeli i pamposhtur edhe atëherë kur vuajti 3 dekada nëpër burgjet e Jugosllavisë. Baca Adem do ngelet i pavdekshëm në zemrat tona. Veprat e tij, patriotike dhe intelektuale do ngelin frymëzim dhe udhërrëfyes për të gjithë ne, model i nderimit të kombit dhe shërbimit të atdheut. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë shqiptarëve, sepse baca Adem ishte i të gjithëve! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, që aq shumë e deshi! Me përulje!”, ka shkruar Ziadin Sela.