Liderët shqiptarë kanë uruar sot 243 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së. 4 korriku shënon ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Britania e Madhe, në vitin 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën Pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.
Kryeministri Edi Rama ka uruar këtë 4 korrik. Në një postim në ‘Facebook’, Rama shkruan: “Në këtë ditëlindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve e aleatëve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ju priftë e mbara të gjithëve.”
Kryeopozitari Lulzim Basha ka përzgjedhur një citim nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së për të uruar aleatin strategjik. Basha shkruan: “Të dashur miq,
Këtë 4 korrik dua ta nis me më të famshmin citim nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Ne i konsiderojmë të mirëqena këto të vërteta:
Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë,
Se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme,
Mes të cilave janë Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë.
Se për të siguruar këto të drejta, njerëzit krijojnë qeveri,
Pushteti i drejtë i të cilës buron prej pëlqimit nga të qeverisurit,
Dhe sa herë që cilado mënyrë e qeverisjes,
Kthehet në shkatërruese ndaj këtyre qëllimeve,
Është e Drejta e njerëzve,
Ta ndryshojnë ose rrëzojnë një qeveri të tillë,
Dhe të themelojnë një qeverisje te re,
Bazuar mbi ato parime dhe me ato pushtete,
Që sipas njerëzve garantojnë më së miri, Sigurinë dhe Lumturinë e tyre!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë së SHBA!
Zoti e bekoftë Amerikën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!”
Edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka uruar SHBA-të: “Zoti e bekoftë Amerikën! Aleatin tonë që në ditët e para të krijimit të shtetit shqiptar! Vendi që na është gjendur në momentet më të vështira e vendimtare të kombit tonë. Jemi me fat që ende sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e mbështesin Shqipërinë e shqiptarët jo vetëm për të ndërtuar një shtet modern e me mirëqenie, por edhe një shtet e një shoqëri të bazuar tek sundimi i ligjit dhe drejtësia!”