Më 02.02.2023, “Fondacioni Maqedonia” botoi në Facebook se “për sigurinë e varrit të Goces do të kujdesen policët bullgarë dhe maqedonas”. Pas disa orësh, postimi është ndryshuar me fjalët: “Te varri i Goces për sigurinë do të kujdeset policia”.
– Advertisements –
Megjithatë, më tepër media maqedonase e përhapën këtë pretendim, pa e kontrolluar.
Paraprakisht, më 31.01.2023, kryetari i Fondacionit, Viktor Stojanov, në Facebook pohonte: “Jemi në kontakt me policinë në Shkup dhe ata së bashku me MPB-në e Bullgarisë do të kujdesen për rendin dhe rrjedhën paqësore të kremtimit!”. Më tepër portale maqedonase, pa e vërtetuar, e transmetuan edhe këtë pretendim.
Më 02.02.2023, portali Makpress botoi se “Jo vetëm maqedonas, të shtunën në Shkup do të ketë edhe policë bullgarë”. Këtë pretendim e ka botuar edhe TV Alfa.
Por, të njëjtën ditë, MPB-ja botoi demant të tekstit të Makpress-it. “Është gënjeshtër klasike se do të ardhkan policë bullgarë”, thuhet në titullin e demantit, në të cilin bëhet me dije se “policia maqedonase vepron në mënyrë të pavarur…”.
Në anën tjetër, Makpress reagoi ndaj përgënjeshtrimit të MPB-së dhe theksoi se lajmi ka qenë “ i marrë tërësisht nga Televizioni Alfa, i cili njëkohësisht është transmetuar edhe në ditarin qendror të këtij televizioni.”
Pavarësisht nga burimi i këtyre dezinformatave, u vërtetua se kremtimi i ditëlindjes së Goce Dellçevit në Shkup nuk u sigurua nga policët bullgarë. “Fondacioni Maqedonia” përsëri shpërndau dezinformata, ndërsa disa media, fatkeqësisht, i transmetuan me këmbëngulje dhe kontribuan në rritjen e panevojshme të tensioneve.