Policia zbulon kush ia vinte zjarrin lokalit të Noizy-t, arrestohet i afërmi

Policia ka zbardhur më në fund se kush fshihet pas dy zjarrvënieve në lokalin e reperit të njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy. Bëhet fjalë për një të afërm të familjes Rajku.

Policia njoftoi mëngjesin e kësaj të enjteje se ka arrestuar në flagrancë Eraldo Musteqjen,26 vjeç.

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. R”, njoftoi policia.

Kjo ishte hera e dytë që Musteqja i vinte flakën lokalit të Noizy-t. Por sipas hetimeve, rezulton se i riu është autor edhe i zjarrvënies së ndodhur më 11 Qershor në këtë lokal. Sipas asaj që njofton policia, rezulton se lokali në fjalë është në emër të Bashkim Rajkut, babait të Noizy-t.

Por sipas policisë, Musteqja nuk e ka filluar zjarrvënien me lokalin që ndodhet në zonën e Currilave në Durrës. Më 10 Qershor ai i kishte djegur derën e banesës së nënës së Bashkim Rajkut, pra gjyshes së Noizy-t.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një thikë që mbante me vete. Deri më tani janë të paqarta shkaqet pse Musteqja i vinte flakën lokalit në fjalë.

Materialet procedurale i kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al