Policia zbuloi plaçkitësit e dy japonezëve në Maqedoni

Policia ka arritur të zbulojë plaçkitësit e dy shtetasve japonez, të cilët kanë qenë duke shëtitur në rrugën lokale Katllanovë-Breznicë.

Bëhet fjalë për tre të mitur nga Velesi, të moshës 15 deri 17 vjeçare, dy nga të cilët tashmë janë privuar nga liria. Të njëjtit persona, në Gostivar e kanë marr një veturë “Ford Mondeo”, me regjistrim të Gostivarit, që e kanë përdorur më vonë për kryerjen e plaçkitjes.

Përndryshe, dy shtetasit japonezë u plaçkitën dy ditë më parë pasdite, deri sa me biçikleta lëviznin në rrugën lokale Katllanovë-Breznicë.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Shkup, Sh.K (54) dhe H.K (48) u ndaluan nga një veturë “Ford”, nga ku kanë dalë tre persona të panjohur.

Ata i kanë sulmuar fizikisht japonezët, i kanë rrëzuar nga biçikleta, dhe ua kanë marrë 3000 euro, dokumentet e udhëtimit, kartelat kreditore dhe një telefon celular “Iphone”./Telegrafi