Këshilli i Komunës së Tetovës, sot ka mbajtur seancën e tretë, ndërsa me kërkesë të këshilltarëve ka marrë pjesë edhe komandanti i policisë rrugore, Zoranço Talev.
Këshilltarët e iniciativës “Më mirë për Tetovën”, kërkuan arsyetim dhe vendim për kaosin me komunikacion në Tetovë.
Talev në fjalimin e tij tha se SPB Tetovë shënon 44.592 makina të regjistruara me targa të Tetovës dhe në kushte kur qyteti ka numër të vogël të bulevardeve dhe rrugëve, duhet më shumë bashkëpunim në mes policisë dhe vetqeverisjes lokale në tejkalimin e këtij problemi.
Ai shtoi se duhet të vihet deri në atë situatë kur dënimet nuk do të jenë të nevojshme, ndërsa tha se kanë propozuar që të rritet numri i karrotrecëve, numri i rrugëve njëkahëshe, si dhe numri i inspektorëve, që do të punojnë në largimin e veturave të cilat joligjërisht kryejnë transport publik.
Ndryshe, në seancën e sotme u formuan disa komisione pranë Këshillit të Komunës së Tetovës.