Prej ditës së hënë policia rrugore në Tetovë ka filluar betejën me vozitësit që parkohen në vende të parregullta dhe jot ë lejuara për parkim. Kjo sidomos është vërejtur në rrugët kryesore ku përgjatë bulevardit Iliria dhe Ilinden, krahas parkimit zonal me pagesë, janë parkuar vetura që ndryshe njihet si parkimi paralel. Kjo situatë dukshëm ka rënduar gjendjen me komunikacionin rrugor në Tetovë duke shkaktuar kaos dhe vështirë në qarkullimin e lirë të automjeteve.
Së këndejmi, vetura të policisë janë vënë në lëvizje dhe gjithnjë kontrollojnë këta dy bulevarde duke bërë që rruga të jetë më e lirë për qarkullim. Është evidente se kjo situatë e re në Tetovë has në shumë vështirësi sepse vozitësit gjithmonë janë parkuar aty ku kanë patur punë për të kryer pa marrë parasysh se është i lejuar ose jo parkimi. Nga Policia e Tetovës thonë se vetëm ditën e parë janë dënuar 49 vozitës.
“Dita e parë e këtyre aktiviteteve i realizuar në dy bulevardet më të frekuentuara gjithsej janë zbuluar dhe sanksionuar 49 kundërvajtje të cilët janë kanë të bëjnë me parkimin e palejuar paralel apo ‘rreshta të dyfishtë’ dhe në kundërshtim me shenjat e vendosura të komunikacionit. Të gjithë shkelësve të këtyre rregullave u janë shqiptuar dënime adekuate ku gjoba për këtë lloj kundërvajtje sillet nga 45 deri në 170 euro. Krahas kësaj janë marrë 14 vetura të keqparkuara që kanë penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Këto kontrolle të përforcuara do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim në të njëjtat rrugë por edhe rreth tregut të gjelbër. Kjo poashtu ka të bëjë edhe me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje në këtë periudhë me ç`rast në numër të madh do të rritet edhe frekuentimi i veturave në këta rrugë. Apelojmë që vozitësit të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit”, tha Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Në ndërkohë, Komuna e Tetovës ende nuk ka vendosur se a do të lirohen për parkim oborret e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë gjatë festave të fundvitit kur edhe kthehen mërgimtarët në vendlindje. Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka thënë se janë duke hartuar një projekt për të rregulluar njëherë e përgjithmonë problemin e parkimit në Tetovë duke nënvizuar se zgjidhjet e përkohshme nuk janë zgjidhje. Kohë më parë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vendosur që të largojë edhe shtigjet për biçikleta në Tetovë ku sipas tij, të njëjtat ishin vendosur në mënyrë të parregullt dhe në kundërshtim me rekomandimet e policisë. (koha.mk)