Policia në kërkim të Dardan Molliqajt, nuk e gjeti në banesë as seli të PSD-së për intervistim

Për sulm ndaj zyrtarit policor, Dardan Molliqaj nuk u arrestua në protestën e së shtunës. Megjithatë, me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, organet e rendit u morën një ditë më pas. Siç merrin vesh mediat policia provoi të kontaktojë me Molliqajn që ta ftojë për intervistim si i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar, por ai kishte fikur telefonin e tij.

Të uniformuarit, nuk e gjetën atë as në selinë e partisë dhe banesën e tij. Me organizatorin e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, nuk arriti të bie në kontakt as televizioni gjatë ditës.
Megjithatë, kryetari i PSD-së, u lajmërua të dielën, veçse përmes rrjetit social Facebook.

Fillimisht, ai paralajmëroi se nëse rryma shtrenjtohet, aksionet e protestat do të vazhdojnë, derisa një vendim i tillë të kthehet prapa. Ai bëri edhe një postim tjetër më pas, ku mori përgjegjësinë mbi incidentin në protestë.
Megjithatë, tha se një sqarim për rastin është i nevojshëm.