Policia merr në pyetje Den Donçevin

Pas ftesës zyrtare ish drejtori i Fondit Shëndetësorë, Den Donçev është paraqitur sot polici. Arsye janë indikacionet e dala nga video incizimi i publikuar javën e kaluar, ku Donçev vërehet duke marrë një shumë parash dhe duke i futur në çantën e tij. Nuk dihet nëse Inspektorët e krimit të organizuar kanë zbardhur motivin dhe shumën e të hollave. Pas bisedës informative mësohet se Donçev është lënë i lirë dhe se për momentin ndaj tij nuk janë caktuar masa ligjore. Tashmë disa ditë pretenduesit anonim për përfshirjen e Donçev në afera kriminale kanë vazhduar me publikimin e përgjimeve në Youtube. Pas kësaj, Ministria e Brendshme nisi hetimin për këtë rast. Paraprakisht Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte deklaruar se nuk mund të veprojë mbi bazën e incizimeve jo të plota. Pas publikimit të incizimeve dhe akuzave të opozitës duke e lidhur atë me rastin Dijamed, Donçev kishte deklaruar se incizimet janë të vjetra dhe shuma e parave i takon një çështje private për të cilën nuk ka dhënë hollësi. Donçev ishte drejtor i Fondit Shëndetësor nga gushti i vitit 2017 deri në maj të këtij viti. Më 5 maj ai dha dorëheqjen për siç kishte deklaruar arsye private dhe familjare.