Policia lëshon edhe një njoftim për aksionin e sotëm

Policia ka lëshuar edhe një njoftim për media për aksionin e sotëm. Aty thuhet se qëllimi i operacionit policor ishte parandalimi dhe luftimi kontrabandës në disa rajone të Kosovës (Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veriu dhe Zveqan), respektivisht kontrollin e 26 lokacioneve të dyshuara, sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në kontrabandë.

Por situata në veri u tensionua, policia thekson se aty grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve policorë dhe doganorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Prandaj, “referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve të asaj zone”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, është raportuar se (10) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (7) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (3) zyrtarë te nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.