Policia heton kërcënimet eventuale ndaj gjykatëses Kacarska


Tani dy javë policët e ruajnë gjykatësen Dobrilla Kacarska e cila gjykoi Nikolla Gruevskin me dy vite burg në rastin “Tanku”. Rastësi apo jo, sigurimi që ia ka dhënë policia, përkon me periudhën kur më 23 maj Kacarska shqiptoi burg pikërisht për ish kryeministrin. Sigurim policor për gjykatësen ka kërkuar kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev. Shërbimet e Ministrisë së Brendshme kanë vlerësuar se ekziston rreziku për Kacarskën. Ministri Oliver Spasovski nuk zbuloi hollësi për këtë hap, por konfirmoi se MPB-ja ka nisur hetimet për kërcënimet ndaj gjykatëses.

Ne punojmë në bazë të vlerësimeve të marra nga provat dhe informacionet që i posedojmë. Kuptohet se punojmë lidhur me procedurën apo hetimin që të zbulojmë se kush është ai, pse e bën këtë, a është kërcënimi real dhe a lidhet me rastin në fjalë – deklaroi Oliver Spasovski, ministër i punëve të brendshme.

Dobrilla Kacarska përveç Gruevskin lidhur me Mercedesin e blinduar, gjithashtu ka gjykuar edhe ish zyrtarin e lartë të MPB-së, Gjoko Popovskin me gjashtë vite e gjysmë. Ndryshe, Nikolla Gruevski nuk u paraqit për ta dëgjuar aktgjykimin. Nëpër seancat për rastin “Tanku”, ai shpesh fjalosej me Kacarskën për mënyrën se si ajo e udhëhiqte rastin, ndërsa para se të gjykohet, e akuzoi se ka ujdi me kryeministrin Zoran Zaev që ai të dënohet ndërsa Kacarska të avancohet si shefe e Gjykatës së Apelit.