Policia gjen pesë arkivole pranë Kullës Eiffel me mbishkrimin ‘ushtarët francezë në Ukrainë’ – arrestohen 3 persona

Pesë arkivole të mbështjellë me flamuj francezë me fjalët “ushtarët francezë në Ukrainë” të shkruara mbi to, janë gjetur pranë Kullës Eifel në Paris.

Siç raporton AFP, në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar tre persona.

Rreth orës 09:00 të së shtunës, tre persona lanë pesë arkivole në Quai Branly në Paris, pranë Kullës Eiffel. Arkivolët përmbanin suva.

Aty pranë u arrestua shoferi i kamionit që transportonte arkivolet. Ai i tha policisë së Parisit se ishte paguar 40 euro për të transportuar dy persona të tjerë dhe ngarkesën e tyre.

Sipas AFP, shoferi kishte mbërritur nga Bullgaria një natë më parë.

Dy të dyshuar të tjerë u arrestuan më vonë në anën tjetër të Parisit, në stacionin e autobusëve Bercy, ku ata ishin gati të hipnin në një autobus për në Berlin. Njëri nga të arrestuarit ishte ukrainas dhe tjetri gjerman.

Motivi i tyre është i paqartë, por mbishkrimi në arkivole ka të ngjarë t’i referohet diskutimeve në lidhje me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, të iniciuara nga presidenti francez Emmanuel Macron.