Policia Financiare ka hyrë në Klinikën Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare për të hetuar punën e ish-drejtuesve. Po kontrollohen tenderët e realizuar gjatë shtatë viteve të fundit, raporton Telma. Gjatë kësaj periudhe, drejtor i klinikës ishte Nexhati Jakupi, anëtar i BDI-së dhe ish-deputet si dhe ish-ministër i Mjedisit nga partia tashmë opozitare e bllokut shqiptar.
Në drejtorinë është hapur një çështje bazuar në një kallëzim për parregullsi në SHPKUK për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare, në përputhje me kompetencat përkatëse. Zyrtarët e autorizuar të Policisë Financiare kanë kryer kontrolle, nga të cilat është siguruar dokumentacioni i plotë në kopje, i vërtetuar me origjinalin, në lidhje me disa procedura të realizuara për prokurime publike, si dhe dokumente të tjera që lidhen me zbatimin e kontratave të lidhura. Aktualisht, ky dokumentacion është subjekt analize.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve të kryera, është siguruar një raport inventarizimi me qëllim sqarimin e rastit dhe përcaktimin e gjendjes faktike. Punonjësve të klinikës u janë dhënë udhëzime për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm – deklaruan nga Policia Financiare.
Nga Policia Financiare për Tv Telma kanë deklaruar se dokumentacioni shtesë i siguruar do t’i nënshtrohet kontrolleve dhe analizave për të përcaktuar nëse ekziston një vepër e mundshme penale dhe autori i saj.
Informacioni është konfirmuar edhe nga burime të TV Telma brenda vetë klinikës. Nga përgjigja e tyre mund të konkludohet se ish-drejtori Jakupi ka lënë klinikën me borxhe të mëdha që arrijnë disa milionë euro.
Drejtoria e Policisë Financiare po kontrollon dokumentacionin për prokurimet publike nga viti 2017 deri në vitin 2024, për shkak të borxhit të madh prej 4.6 milionë eurosh të Klinikës Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare – thanë burime nga kjo klinikë.
Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Financave, sipas të cilave Klinika më e zhytur në borxhe është ajo e Radioterapisë dhe Onkologjisë me mbi 12 milionë euro, ndërsa në vendin e dytë renditet pikërisht Klinika për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare me një borxh prej 4 milionë e 650 mijë euro.
Gjatë vitit 2020, kur drejtor ishte Jakupi, në klinikë u hap një sallë e re operacioni, e cilësuar si një sallë sipas standardeve më të larta botërore dhe me pajisje moderne. Megjithatë, katër vite më vonë, sipas informacioneve të TV Telmas, kjo sallë nuk është vënë kurrë në funksion.