Policia e ndërpret një dasmë në Vrapçisht, i zoti i dasmës privohet nga liria

Policia e Gostivarit sot pasdite e ndërpreu një ceremoni martesore në fshatin Vrapçisht, e cila ishte organizuar para një shtëpie familjare. Në stacionin policor u dërgua pronari i cili do të përballet me padi penale.

Nga SPB Tetovë informojnë se rreth orës 15:40, nëpunësit e policisë nga SPB Tetovë- DPB Gostivar e privuan nga liria A.Z. (56) nga Vrapçishti i Gostivarit.
“Para shtëpisë së tij ishte organizuar ceremoni martesore, në të cilën po merrshinn pjesë tridhjetë njerëz të cilët u argëtuan nga një orkestër muzikore. Pronari i shtëpisë u mbajt në Stacionin Policor të Gostivarit”, tha Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Në vendin e ngjarjes është kryer inspektim dhe pas sqarimit dhe dokumentimit të plotë të rastit kundër A.Z. do të shtrohet parashtresë sipas nenit 206 të Kodit Penal, për dyshimin e kryerjes së vepre penale – mosveprim në përputhje me rregulloret shëndetësore gjatë epidemisë.

Në thirrjen e fundit të SPB Tetovë për objektet hotelierike në rajonin e Pollogut, u porosit për respektim të vazhdueshëm të masave më të fundit të qeverisë dhe përmbajtja nga organizimi i dasmave dhe ceremonive të tjera ose festave.
“Në të kundërt, të gjitha shkeljet e masave do të sanksionohen në mënyrë më rigoroze, veçanërisht në rastet kur do të konstatohet tubimi në grup në objekte për raste të ndryshme. Mosrespektimi i masave nga objektet hotelierike ose individë-organizatorë të festave familjare do të ndëshkohet në mënyrë penale dhe nuk do të tolerohet asnjë devijim nga e parashikuara”, thekson Josifoski.

Thirrja vjen në një kohë të vitit kur mërgimtarët vijnë në atdheun e tyre dhe tradicionalisht organizojnë ahengje, dasma dhe tubime të tjera familjare.
Javën e kaluar në Gostivar, tre persona u privuan nga liria, të cilët pritën mysafirë në lokalet e tyre pas orarit të punës dhe mbajtën ahengje për mysafirët.