Policia e Maqedonisë së Veriut realizon stërvitjen “Pranvera-22” në Shkup

Me qëllim të prezantimit të mënyrës së organizimit dhe gatishmërisë së lartë të policisë së Maqedonisë së Veriut në kryerjen e detyrave të sigurisë, sot u organizua stërvitja operative-taktike “Pranvera-22”. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, anëtarë të qeverisë dhe përfaqësues diplomatikë në vend morën pjesë në stërvitjen e parë operativo-taktike të kësaj shtrirjeje dhe përmbajtjeje në vend, e cila u mbajt në qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup.

Skenari kompleks i parapërgatitur në qendrën sportive “Boris Trajkovski” përfshinte inskenimin e organizimit të një gare sportive ndërkombëtare të etiketuar si garë me rrezikshmëri të lartë, me prezencë të paralajmëruar të VIP-ave dhe prani të grupeve të tifozëve.

Pjesëtarët e Departamentit të Operacioneve Speciale të Policisë, Departamentit për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të caktuara, Njësisë së Forcave Ajrore si dhe njësi tjera në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, prezantuan mënyrën e organizimit dhe gatishmërinë e lartë të policisë së Maqedonisë së Veriut për gara sportive me rrezikshmëri të lartë.