Policia e Kosovës nis patrullimin në Karaçevë (VIDEO)

Të premten (07 gusht, 2020) nëpër rrjetet sociale qarkulluan disa video dhe fotografi ku shiheshin ushtarë serbë që kishin hyrë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Kjo gjë ngjalli reagime të shumta – sidomos tek disa banorë të asaj zone, të cilët thanë se po ndjehen të rrezikuar.

Pas raportimit të mediave, Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi, nga i cili është njoftuar se një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare.