Policia e Kosovës e konfirmon: “Kemi mbyllur kufirin me Serbinë”


Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka mbyllur pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje për qarkullim udhëtar. Policia ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të rrugëve që çojnë në drejtim të këtyre pikë kalimeve, derisa ka bërë thirrje që të shfyrtëzohen pikat tjera për qarkullim.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në komunikatë.

Në njoftimin zyrtar të policisë nuk janë përmendur tensionet në veri, por gazeta Nacionale ka siguruar pamje të Njësisë Speciale në Zubin Potok. Në veri nga ora 16:00 është lëshuar edhe sirena e alarmit, e cila zakonisht aktivizohet për mbledhjen e serbëve. Këto tensone vijnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente.