Reperi i njohur, Feronit Shabani i njohur më së miri me emrin artistik, Fero, është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka sulmuar bashkë me truprojën e tij, producentin e njohur, Jetmir Agaj.
Incidenti thuhet se ka ndodhur në lagjen Dragodan në Prishtinë, saktësisht në studion e reperit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Informata është pranuar rreth orës 15:30, për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Nebih Gashi” në Prishtinë. Nga të dhënat fillestare është ngritur dyshimi se dy të dyshuar, ku njëri nga ta dyshohet të ketë pasur dhe një armë, kanë sulmuar viktimën dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që të dyshuarit janë identifikuar nga ana e policisë menjëherë ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat që kanë karakterizuar ngjarjen.”
“Së këndejmi rreth orës 20:30, të dyshuarit janë paraqitur në stacionin policor dhe policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme në koordinim me prokurorin e shtetit për të proceduar tutje”, tha ai.